Politikat anti-emigratore nga qeveria gjermane kanë prekur në mënyrë të ndjeshme, përgjatë dy viteve të fundit, shqiptarët që jetojnë atje. Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë vitit 2025, autoritetet gjermane i kanë revokuar dhënien e lejeve të qëndrimit për më shumë se 8200 shtetas të huaj.
Lista e refuzimit për rinovim apo dhënie të lejeve të qëndrimit apo dëbimeve për vitin 2025 kryesohet nga Gjeorgjia me 671 qytetarë; në vend të dytë vjen Shqipëria me 661 qytetarë, të cilëve u është dëbuar apo nuk u është rinovuar leja e qëndrimit, ndërsa në vend të tretë janë 618 shtetas nga Turqia.
Përgjatë vitit 2024, shtetasit shqiptarë kryesonin listën e dëbimeve dhe refuzimit të lejeve të qëndrimit me 923 urdhra dëbimi nga 9277 urdhra të tillë në total.
Shkaqet kryesore për refuzim të lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj, sipas autoriteteve gjermane, lidhen me kërcënimin që individë të caktuar përbëjnë për sigurinë dhe rendin publik, sipas vlerësimit të agjencive të ndryshme. Raste të tjera të mosrinovimit të lejes së qëndrimit apo urdhrave të dëbimit lidhen me persona të cilët janë përfshirë në veprimtari kriminale.
Qeveria e Friedrich Merz ka kufizuar ndjeshëm fondet për integrimin e emigrantëve të huaj, duke theksuar se vendi ka nevojë për një qëndrim më të ashpër jo vetëm ndaj emigracionit të parregullt, por edhe ndaj atij të rregullt, i cili duhet të jetë i orientuar drejt nevojave të tregut të punës dhe jo i pakontrolluar.


