Debati për projektin Vlorë-Orikum, Meta në konferencë: Kryeministri gënjeu

schedule18:57 - 5 Janar, 2021

schedule 18:57 - 5 Janar, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një komunikim për mediat deklaroi se kryeministri Edi Rama vijon me gënjeshtrat e tij, ndërsa theksoi se qytetarët e Vlorës meritojnë sqarim për projektin Vlorë-Orikum.

Lexo edhe: Projekti Vlorë-Orikum, kryeministri Rama i përgjigjet Presidencës

“Jam sot këtu sepse mendoj që edhe pse shpifjet dhe gënjeshtrat e kryeministrit nuk meritojnë vëmendje, qytetarët në të gjithë qarkut në Vlorë meritojnë sqarime. Presidenti ka mirëpritur iniciativën për zhvillimin e zonë së lumit të Vlorës”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij gjithashtu Presidenti deklaroi se sipas tij përfaqësues të qeverisë gënjyen Kuvendin, ndërsa shton se Ministria e Financave ka deklaruar se nuk ka pasur negociata me Fondit Saudit.

“Jam këtu për të përmendur disa fakte së papërgjegjshmërisë ekstreme të kryeministrit në detyrë, lidhur me disa akuzave që ka bërë dje në Vlorë. Kuvendi i Shqipërisë, më 9 nëntor 2017, ka ratifikuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për rrugën e Lumit e Vlorës.

Presidenti menjëherë e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe ka shpallur dekretin brenda dy ditësh. Kuvendi më 21 shtator 2020 i ka përcjellë presidentit ligjin për denoncimin e kësaj marrëveshjeje.

Ky ligj është miratuar në seancën plenare më 17 shtator dhe presidenti e shpalli menjëherë më 22 shtator. Presidenti shqyrtoi me vëmendje praktikën, nga ku rezultoi se qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huasë”, tha Meta.

Kreu i Shtetit nxori korespodencën me Ministrinë e Financave për këtë çështje.

“Qartazi përfaqësues të qeverisë gënjyen në kuvend se do të vijonin projektin por me fonde të tjera. Pres vijoi me shpalljen e ligjit, madje i befasuar që qeveria nuk do kërkonte më hua, por do e bënte me fonde të brendshme. Çfarë ndodhi më pas, vetëm 7 ditë më vonë, më 29 shtator, Ministria e Financave i paraqet një kërkesë presidentit ku kërkon autorizim për plotfuqi për një marrëveshje huaje me fondin saudit.

Presidenti ndërkohë njihet me faktin, madje ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 23 shtator 2020. Si rezultat i shqyrtimit të kësaj praktike, rezultoi që jo vetëm që presidentit i kërkohet plotfuqi për një marrëveshje ku më parë nuk i ishte kërkuar autorizim për negociata, jo vetëm që kryeministri e ka miratuar në parim marrëveshjen duke kapërcyer fazën e negocimit, por përfaqësues të qeverisë kanë gënjyer.

Më e rënda, duke shkelur kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit që përcaktojnë që një marrëveshje e re huaje duhet patjetër negociuar para se të nënshkruhej.
Më 6 tetor presidenti i drejtohet Ministrisë së Financave dhe për dijeni dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme që në atë kohë ishte vetë kryeministri, ku i thotë se pas verifikimeve paraprake nuk na rezulton që për këtë marrëveshje Presidenti i Republikës të ketë lëshuar autorizim për negocim. Me qëllim mos pengimin e procesit, kërkojmë të na informoni brenda një kohe sa më të shpejtë për gjithë hapat që janë ndjekur për finalizimin e marrëveshjes.

Ministria e Financave i kthen përgjigje presidentit dhe pranon që në datën 15 tetor, konkretisht për marrëveshjen që kërkohet ky autorizim nuk ka pasur negociata sepse asnjë prej institucioneve në varësi nuk ka pasur komente apo sugjerime mbi draft marrëveshjen e vënë në dispozicion nga Fondi Saudit për Zhvillim. Pra, Ministria e Financave tha se nuk ka pasur negociata.

Presidenti duke mos dashur të besojë një shkelje kaq flagrante të ligjit, i drejtohet sërish me shkresë më 27 tetor. Presidenti nuk mund të fshihte shqetësimin e vënë disa herë në dukje dhe i kujtoi Ministrisë së Financave që sipas ligjit, Ministria e Financave ka detyrimin të negociojë dhe pastaj të vendosë për kushtet e huas si dhe të vlerësojë dhe negociojë rregullat për të drejtat dhe detyrimet e palëve.

Ndërsa Ministria e Financave pranon me shkresën e datës 15 tetor që nuk ka zhvilluar negociata për marrjen e një huaje në vlerë 30 milionë dollarë”, deklaroi Meta.

/abcnews.al/