Debati për hapjen e Urës së Ibrit/ Nevzat Luftiu: Problemet mes Kosovës e Serbisë, manifestohen drejtpërdrejt te shqiptarët e Luginës së Preshevës

schedule20:54 - 9 Shtator, 2024

schedule 20:54 - 9 Shtator, 2024

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nevzat Luftiu, kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës, foli për marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë, por duke u ndalur edhe tek tensionet e fundit shkaktuar mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos pas vendimit nga autoritetet e Kosovës, për hapjen e Urës së Ibrit dhe se sa ndikon kjo tek shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Ai u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë ato që preken drejtpërsëdrejti nga problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndodh shumë shpesh që problemet mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht manifestohen te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Po përmend një fakt, në mars të këtij viti, ne kemi patur një premtim nga ambasadat mike të Luginës së Preshevës se në muajin Mars do të njihen diplomat e studentëve shqiptarë të Luginës së Preshevës të cilët kanë studiuar në Kosovë. Në atë periudhë, ishte çështja e dinarit dhe Serbia mori si pretekst për ta shtyrë këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo nuk do duhej të ndodhte në asnjë mënyrë, por normalisht që atmosfera mes vendeve ndikon dhe manifestohet te ne. Nëse ka vend edhe kjo çështje, edhe në kohën e Open Ballkan, një iniciativë që në një shoqëri normale është dashur jashtëzakonisht shumë të përshëndetet, por unë besoj se testi më i mirë i Open Ballkan, kanë qenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse ka patur iniciativa që sot i gëzojmë për shkak të Open Ballkan, por jo në nivelin apo masën e duhur që në mënyrë të drejtpërdrejtë e kishte përmirësuar situatën tonë atje. Për çfarë arsye po e them këtë? Sepse po të paraqitej ndonjë investitor nga Shqipëria për të investuar në Luginë të Preshevës, jam i bindur se ai do bllokohej. Pra ai do mund të investonte dikur tjetër në Serbi, por jo në Luginë. Dhe unë besoj se testi i vërtetë i atij procesi kanë qenë shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha ndër të tjera ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!