Debati për detin, “furtunë” në Tiranë, por as në Athinë s’janë të kënaqur, ish-ministri: Tre gabimet

schedule10:15 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 10:15 - 29 Dhjetor, 2020

Në Shqipëri vijon debati për dekretin presidencial grek për ujërat detare, por as në Athinë duket se nuk janë të kënaqur nga kjo lëvizje e qeverisë së Kyriakos Mitsotakis. Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në kohën e së cilit në qeverinë e Tsipras, Tirana dhe Athina rinisën dialogun për dosjet e vjetra, mes të cilave edhe deti, e ka cilësuar të gabuar vendimin e fundit të vendit të tij.

Në reagimin e tij, ai fajëson edhe SYRIZA-n. Kotzias e cilëson të gabuar vendimin e vendit të tij i cili “mbyll” gjiret në funksion të “caktimit të kufirit të një zone ekonomike ekskluzive, një lëvizje që përveç kësaj është një hap tjetër drejt zgjerimit të bregut të detit në 12 milje detare” thuhet në shkrim.

Tre janë pikat që kritikon Kotzias. “Nga njëra anë, fakti që qeveria hyri në marrëveshje për EEZ (në këtë rast me Italinë) pa mbylljen e gjireve. Nga ana tjetër, qeveria përjashtoi nga i njëjti parashikim Peloponezin Jugor, Kytheran dhe Antikythiran. Së treti, ai anuloi, planifikimin që gradualisht do të përfshinte parashikime analoge në të gjithë vendin” thotë Kotzias.

Greqia nuk u zgjerua me 12 milje, por mbylli gjiret me dekretin presidencial. Një nga arsyet pse gjiret janë mbyllur është një lëvizje strategjike për të fituar zonë detare, pasi me formimin e tyre, kufiri ndarës mes vendeve më pas nuk fillon nga vija bregdetare, por nga vija e drejtë që mbyll gjirin./ db/Abcnews.al