Debati në “Real Story”/ Nazarko-deputetit të PD: Ajo që po i ndodh Berishës nuk po iu ndihmon. Agalliu: Duhet të ngjallim shpresën

schedule20:58 - 25 Janar, 2024

schedule 20:58 - 25 Janar, 2024

Për analistin Mentor Nazarko, përçarja e Partisë Demokratike favorizon kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko iu drejtua deputetit të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, duke i thënë se ajo që po i ndodh ish kryeministrit Sali Berisha, tanimë në arrest shtëpiak, nuk po i ndihmon që të rrisin votat.

Ndërkaq, Agalliu iu përgjigj se kjo është vetëm një perceptim dhe se ka një realitet tjetër. Sipas tij, Partia Demokratike duhet të ngjallë shpresën te shqiptarët.

Pjesë nga debati

Mentor Nazarko: Për hir të së vërtetës, kjo përçarja juaj e favorizon Ramën. Por është e çuditshme se si kjo që po i ndodh Berishës, nuk po iu favorizon juve. Kjo është pikëpyetja më e madhe. Ai është në arrest shtëpiak, është i kufizuar në zhvillimin e funksioneve të veta, në një farë mënyre, besueshmëria e tij publike është e rrëzuar, akuzat që vijnë nga SHBA, SPAK, shohim që elektorati nuk i përgjigjet thirrjeve për të protestuar. Ju as nuk po rrisni kuota jashtë hambarit demokrat, por as edhe te ato që kanë qenë vota të Berishës.

Arbi Agalliu: Ky është perceptim. Të them një realitet tjetër. Partia Demokratike do duhet të gjejë atë element që ngjall shpresë në fund të ditës, shpresën e ngjall qëndrimi dhe lufta në disa parime që kemi pasur këtë periudhë. Partia Demokratike sot është shumë herë më mirë se ç’ishte në largimin e zotit Basha më 6 mars. Me një ekip të mirë, me një të shkuar të pastër, me meritokraci, unë besoj fort se ata shqiptarë që nuk dolën në votime, do të rizgjohen për t’u rikthyer. Në kohën më të mirë të Foltores, bashkë me LSI, diferenca ishte vetëm 130 mijë vota./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!