Debati Murrizi-Lleshaj për tenderët në ministri: Mos mi ngre supet, kush ta kafshuar gjuhën?!

schedule11:35 - 29 Korrik, 2020

schedule 11:35 - 29 Korrik, 2020

Duke iu përgjigjur akuzave të bëra nga deputeti Myslim Murrizi, ministri Sandër Lleshaj u shpreh në Kuvend se nuk merret me shifra e tendera.

Ai shto se të gjitha provat që ka, Murrizi t’i çojë në Prokurori dhe organet kompetente të bëjnë punën e tyre.

Lleshaj: “Z. Murrizi, po të ishit mjaftuar me pjesën e dytë të fjalës suaj, do të isha dakord edhe unë që me çështjet të cilat ju adresoni, duhet të merren ata që kanë profesion të merren, që janë prokurorët. Ju vendosët që fillimisht ta bëni prokurorin vetë, pastaj të kërkoni ndërhyrjen e Prokurorisë.

Unë po ju them diçka, fare të thjesht, të gjitha ato gjëra që ju cituat këtu, nuk i komentoj për arsye se nuk i di, sepse unë nuk merrem me asnjë shifër, me asnjë tender, me asnjë firmë, me asnjë sozi, me asnjë gjë me të cilat ju merreni dhe është zgjedhja juaj që të merreni me këto gjëra. Por do t’ju ftoja fare thjesht, mos i bëni ftesë Prokurorisë, ftesë publike, retorike, politike, por në qoftë se nuk e dini, jua tregoj unë adresën e Prokurorisë!Shkoni trokisni atje, ҫojini ato gjëra që keni, sepse i bëni shërbim publikut nëse besoni që janë të vërteta, dhe kështu zgjidhet puna.

Trokisni tek dera e Prokurorisë dhe lërini ata ta bëjnë prokurorin mos e bëni ju, se kam frikë se mos gaboni. Unë refuzoj të merrem me këtë dhe sfidoj këdo që i thotë vetes shqiptar, që të mundohet të gjejë qoftë edhe një nanogram lidhje midis atyre pisllëqeve, që përmendni me figurën time si Ministër i Brendshëm.

Nuk mund të ketë kurrë në botë një lidhje dhe për këtë ju sfidoj të trokisni në Prokurori. Në qoftë se doni të bëni ose të konsumoni politikë tradicionale, bajate, jepini, jeni i mirëpritur t’i jepni dhe gëzojeni atë. Faleminderit!”

Nga na tjetër Murrizi replikoi duke thënë se ” e di shume mire se kush është shefi i tenderave në ministrinë e Brendshme.” Po ashtu ai shtoi se po të kishte gjë konkrete me Lleshajn do ia thoshte “pa iu dridhur leqet e këmbëve”.

Murrizi: “Zoti Lleshi, nuk vi nga rruga, se kam frike prokurorinë…Të garantoj që do t’i çoj në SPAK.  E di që s’të pyesin për tenderat. E di shume mire se kush është shefi i tenderave në ministrinë tënde. Ty nuk e di kush ta kafshuar gjuhen. Flasin shumë që ti je ne gjumë kur vinë paratë në ministri. Mos mi ngre supet po të kem ndonjë gjë konkrete me ty s’më dridhen leqet e këmbës fare me ta thënë në kokërr të syve. Megjithatë do të thirresh edhe ti në SPAK se je titullar.”

Më herët gjatë fjalës së tij, deputeti Murrizi ishte shprehur se ka të dhëna për një tender 23 milion euro në ministrinë e Brendshme.

“Kam një tender të ministrisë së Brendshme, 23 mln euro për uniformat. Vlerën nuk ia ulët, por sasinë e produkteve po. 89 mijë njësi artikuj më pak. Jo të gjithë në këtë sallë, edhe nga PS, janë njëlloj të përlyer në paratë publike. Pasi ka të ndershëm. Ftoj SPAK që të merret me hajdutët që i janë herrur sytë në këtë kohë kolere”, tha Murrizi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!