Mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në ABC u diskutua mbi vaksinat dhe efektshmërinë e tyre, teksa debati më i madh ishte te ajo kineze, “Sinovac”. Virologu shqiptar Arban Domi, pjesë e departamentit për zhvillimit në firmën “GeoVax” në SHBA u shpreh skeptik për vaksinën kineze, por në fund tha se nuk mund t’u drejtohet qytetarëve me një përfundim nëse duhet ta bëjnë apo jo.
“Arsyeja përse nuk kanë marrë autorizimin nga EMA dhe FDA. AstraZeneca nuk e kanë marrë certifikimin në Amerikë, është në shqyrtim. Vaksinat ruse dhe kineze do i ndaja, pasi “Sputnik V” nuk është aprovuar, dhe në Amerikë as njëra dhe as tjetra…pasi duhet të bësh testin klinik në Amerikë.
“Sputnik V” është vetëm çështje kohe për t’u aprovuar, pasi vetë e tregojnë se kanë një lloj sigurie dhe informacionin e nevojshëm. Nëse “Sputnik V” e kalon testin e EMA-s absolutisht do të jetë më efikase se AstraZeneca” tha ai.
Referuar vaksinës kineze, barra e provës për të treguar nëse është e dëmshme apo jo, sipas virologut i takon prodhuesit. “Shpresoj që Shqipëria nuk është një republikë bananesh dhe për cdo vaksinë nuk thuhet më tregoni se nuk është e dëmshme, se duhet të tregojë ai që e prodhon që nuk është e dëmshme.
Barra e provës i takon prodhuesit. I bëj kërkesë ministrisë së Shëndetësisë dhe komitetit që të bëjnë publike raportin përfundimtar dhe votimin për aplikimin e kësaj vaksine” tha më tej Arban Domi.
Mjeku Laidon Shapo, specialist i shëndetit publik në Londër u shpreh se Shqipëria nuk duhet të bëjë vaksinime masive me dozat kineze. “Vetë enti kinez i ka dhënë “OK” vaksinës në 7 shkurt, nuk është se jemi komplet në territor të minuar, por nuk jemi as në territor të vazhdojmë nga 20 mijë vaksinime në ditë, ndërkohë që publikimet për mbi 60 nuk i kemi” tha ai.
Për kreun e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj në Amerikë nuk kanë për t’u aprovuar vaksinat ruse dhe kineze. “FDA vaksinën ruse dhe kineze nuk ka për ti aprovuar ndonjëherë, është gjeopolitika që dominon”.
Për Gjergj Kojën, debati mbi vaksinën kineze është i gjithi “stuhi në gotë si me AstraZeneca dhe ashtu do të përfundojë. Kam besim maksimal te ekspertët tanë. Sikur 50% të jetë efektiviteti shpëton jetë njerëzish” tha ai./ db/Abcnews.al