Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Debati mbi taksimin e pensioneve/ Presidenti i Shoqatës “Italba”: Ja pasojat që do sillte miratimi i ligjit

schedule22:43 - 11 Shkurt, 2026

schedule 22:43 - 11 Shkurt, 2026

Pensionistët italianë në Shqipëri përballen me pasiguri mbi taksimin e pensioneve, duke rrezikuar qëndrimin e tyre dhe duke ndikuar në ekonominë lokale.
Sot, nga Durrësi, në emisionin “Të gjitha rrugët çojnë në Romë”  do trajtohet një çështje shumë të ndjeshme: a do të taksohen apo jo pensionet e pensionistëve italianë që jetojnë në Shqipëri? A do të qëndrojnë ata këtu apo do të largohen?

Për këtë çështje, kanë folur dy drejtues të shoqatës familja Italba, një shoqatë që promovon marrëdhëniet italo-shqiptare dhe mbron interesat e italianëve në Shqipëri.

Presidenti i Shoqatës, Giuseppe Mazzei dha mendimet e tij, ndërsa shtoi se debati mbi taksimin e pensioneve në masën 15% ka krijuar konfuzion. Ai thotë se nëse taksimi futet në fuqi, atëherë shumë pensionistë do ta konsideronin largimin nga Shqipëria.



Intervista:

Artur Nura: Mirë se erdhët.

Giuseppe Mazzei: Shoqata jonë ka si qëllim të njohë më mirë Italinë për shqiptarët dhe Shqipërinë për italianët. Ky është ndër organet e para mediatike që ka ngritur publikisht shqetësimin për situatën e pensionistëve italianë që jetojnë në Shqipëri.

Artur Nura: Z. Mazzei, si lindi ky shqetësim për një taksim të mundshëm të pensioneve?

Giuseppe Mazzei: Ka zëra të pakonfirmuar dhe, deri më tani, mungon një qëndrim i qartë nga autoritetet tatimore shqiptare. Pensionet italiane, të cilat deri tani janë trajtuar njësoj si pensionet shqiptare me taksim zero, mund të tatohen? Disa flasin për një taksë deri në 15%. Kjo pasiguri ka krijuar konfuzion dhe ankth te shumë pensionistë, disa prej të cilëve po mendojnë edhe largimin nga Shqipëria.

Artur Nura: Si e vlerësoni këtë situatë në kuadër të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Italisë?

Giuseppe Mazzei: Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte shumë e rëndë dhe do të dëmtonte marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Sipas marrëveshjes Shqipëri–Itali, pensionistët italianë nuk mund të trajtohen më keq se pensionistët shqiptarë. Nëse pensionistët shqiptarë nuk paguajnë taksa, as pensionistët italianë nuk duhet të paguajnë.

Artur Nura: A kontribuojnë pensionistët italianë në ekonominë shqiptare?

Giuseppe Mazzei: Patjetër. Çdo vit, rreth 200 milionë euro pensione italiane qarkullojnë në Shqipëri. Kjo përbën gati një përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe krijon një efekt zinxhir në ekonomi: qira, konsum, restorante, transport, shërbime. Ata nuk i dëmtojnë ekonominë shqiptare, përkundrazi, sjellin një kontribut të rëndësishëm.

Artur Nura: Z. Marjus Cela, ju jeni nënkryetar i shoqatës dhe njëkohësisht sipërmarrës dhe investitor. Si e shihni ju këtë problematikë?

Marjus Cela: Mendoj se kjo problematikë ka lindur nga një paqartësi ligjore. Ligji nuk e ka të specifikuar qartë çështjen e taksimit të pensioneve. Deri më sot nuk ekziston asnjë rast konkret ku pensionistët italianë të kenë paguar këtë taksë.

Artur Nura: Çfarë është deklarata DIVA dhe pse po përmendet në këtë kontekst?

Marjus Cela: DIVA është deklarata individuale e të ardhurave. Detyrimi lind vetëm kur tejkalohet një prag i caktuar vjetor. Pensionet nuk njihen nga shteti shqiptar si të ardhura të tatueshme, pasi janë kontribute të dhëna në Itali. Për këtë arsye, ato nuk duhet të tatohen. Një deklaratë zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të mjaftonte për të sqaruar situatën dhe për të hequr çdo dyshim.

Artur Nura: Nëse pensionistët italianë do të largoheshin, çfarë pasojash do të kishte kjo për Shqipërinë?

Marjus Cela: Do të humbnin qytete si Durrësi, Vlora dhe Tirana. Pensionistët nuk vijnë vetëm për përfitimin fiskal: ata blejnë ose marrin me qira banesa, konsumojnë, krijojnë lidhje sociale dhe sjellin familjarë e miq. Vlera ekonomike dhe sociale që ata krijojnë është shumë më e madhe se vetë pensioni.

Artur Nura: Cili është mesazhi juaj për institucionet shqiptare?

Giuseppe Mazzei: Apeli ynë është i thjeshtë: nevojitet qartësi sa më shpejt. Një deklaratë e qartë nga qeveria shqiptare do të garantonte se nuk ka ndryshime nga ajo që ka qenë deri tani. Ne e duam Shqipërinë, ndihemi të mirëpritur dhe duam të vazhdojmë të jetojmë këtu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!