Debatet për urën e Ibrit/ Maliqi: SHBA dhe BE e kanë izoluar Kurtin. Hisen Berisha: Ja pse po i jepet rëndësi kësaj çështjeje

schedule23:58 - 15 Gusht, 2024

schedule 23:58 - 15 Gusht, 2024

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak ka deklaruar se çdo vendim I Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit duhet të ndërmerret pas konsultimeve me Brukselin zyrtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajçak akuzoi qeverinë e Albin Kurti se po gënjen kur thotë se BE nuk dëshiron hapjen e Urës së Ibrit ndërsa shtoi se një qeveri që dëshiron normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, nuk ndërmerr kurrë veprime të njëanshme që i imponohen një pakice që jeton në Territorin e Kosovës duke iu referuar kështu serbëve të veriut.

Analistja Afërdita Maliqi, thotë se çështja e Urës po dëshmon se nuk ka një komunikim  dhe ndërveprim mes institucioneve të Kosovës, sidomos mes presidentes së Kosovës dhe kryeministrit.

Ajo shtoi se pavarësisht deklaratave publike, Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë izoluar kryeministrin Kurti dhe kjo qasje vërehet qartësisht.

“Realisht presidentja Vjosa Osmani, nuk është se ka pasur një qëndrim të qartë nëse duhet apo jo të hapet ura e Ibrit. Kjo tregon se Osmani nuk ka pasur asnjë komunikim me Kurtin dhe organet e sigurisë për ta hapur apo jo urën e Ibrit. Kryeministrin Kurti e kanë izoluar SHBA dhe BE”, tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i ftuar në Ora e Fundit  theksoi se fokus në këtë çështje synon të  largojë vëmendjen nga çështjet e tjera, të cilat shqetësojnë qytetarët e Kosovës.

“Lajçak dhe ndërmjetësimi i tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka shënuar një dështim. Edhe ura edhe temat e mëhershme, prej shtatorit të 2021. Sfida kryesore që qëndron në këtë çështjen e urës është pikërisht ruajtja e balancës mes shtrirjes së sovraniteti dhe ruajtjes së marrëdhënieve me ndërkombëtarët. Përgjegjësia është kolektive. Duhet një mobilizim i përgjithshëm qytetar, nga shoqëria civile, nga media, që qytetarëve t’u bëhen e ditur se këta veprime janë për të tërhequr vëmendjen nga ato tema, që më vërteta e shqetësojnë vendin tonë dhe qytetarët, në aspektin ekonomik dhe social. Nuk ke asnjë investim ndërkombëtar dhe kemi kërcënim me masa shtesë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!