Debate mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Ballla-Bardhit: Çfarë të ka hyrë mo vëlla, qetësohu!

schedule13:22 - 1 Korrik, 2022

schedule 13:22 - 1 Korrik, 2022

Mbledhja e Këshillit të Mandateve në Kuvend është ndërprerë më herët gjatë pasdites të së premtes pas debateve mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.

Mbledhja është është për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, pas akuzave të opozitës se bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik nga qeveria, në konflikt interesi duke fituar para nga pasuritë publike të vendit.

Mbledhja u ndërpre pas debateve mes Gazment Bardhit dhe Taulant Ballës. Ndërsa mikrofonët ishin të fikur, debati kaloi edhe me terma aspak etikë për vendin dhe atë çka përfaqësojnë të pranishmit në sallë.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se sipas përgjigjes së deputetit të opozitës nuk ka fitim dhe sipas tij procesverbali tregon se fitimi nuk ka ndodhur. Sipas tij, kërkesa e opozitës nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës.

Nga ana tjetër Gazment Bardhi deklaroi se Balla deformoi përgjigjen e tij. Por ndërsa kërkonte të fliste, kryetarja e Këshillit Lindita Nikolla nuk i ka dhënë fjalën dhe më pas debati vijoi pa mikrofonë të ndezur.

Balla: “Qetësohu mor djalë ça ke, unë e di që nxehesh nga Saliu po ta mbaroj. Sa i përket përfshirjes së Këshillit për Rregulloren në këtë proces. Parashikimet e nenit 70, pika 2-3, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse. Znj. Kryetare unë mendoj që zotëria aty duhet të qetësohet.”

Nikolla: Nuk mund të bësh si sufler aty, ki respekt për kolegët.

Balla: “Qetëso more, po çfarë të ka hyrë mo vlla, po qetësohu. Ore e di çfarë të ka hyrë, po qetësohu! O zotëri i dashur! S’kam parë ndonjëherë kështu. Ai po ndihet i vrarë, unë çfarë të bëj i shkreti. E shoh sa seriozisht e keni. Sa i përket nenit 70, deputetët s’mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse. Unë ju pyeta sa ka qenë fitimi, a ka një qindarkë fitim dhe ju thatë nuk dini. Procesverbali tregon se fitimi nuk ka ndodhur. Që do të thotë kërkesa juaj nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës. Sepse në të gjitha rastet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur i jemi drejtuar, Gjykata Kushtetuese në doktrinën e vet të përcaktuar për këtë rast ka sanksionuar dhe ka kërkuar nga kërkuesi vlerësimin e përfitimit. Ka ndodhur përfitimi dhe sa ka qenë. Flas për vendimin e 2016 të Gjykatës Kushtetuese, e cila në doktrinën e vet ka përcaktuar sa ka qenë fitimi që ka ardhur te deputeti.” /abcnews.al/