Debat në komisionin e ekonomisë, Tabaku- Ibrahimajt: Kriza energjitike s’reflektohet në buxhetin e shtetit

schedule10:32 - 3 Nëntor, 2021

schedule 10:32 - 3 Nëntor, 2021

Në Komisionin e Ekonomisë po diskutohet edhe ditën e sotme për shpenzimet e parashikuara në projekt-buxhetin 2022.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në fjalën e saj parashtruese deklaroi se projektet në ujësjellës-kanalizime do të marrin 13.8 miliardë lekë. Në këtë sektor sipas saj edhe FSHZH do të ketë 18.3 miliardë lekë për investimet në infrastrukturë dhe ujësjellës kanalizime.

Ndërsa, gjatë diskutimeve ka pasur një përplasje mes ministres dhe deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku. Kjo e fundit, ndërsa citonte një raport të Këshillit të Lartë të Shtetit tha se për të paktën 5 kontrata koncesionare, në 4 prej tyre në shëndetësi po paguhen nga buxheti i shtetit dhe nuk po merret asnjë shërbim.

Po ashtu, Tabaku tha se në shqetësues është fakti që po flitet për krizë energjitike, por “ kjo nuk po reflektohet në buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, ministrja Delina Ibrahimaj theksoi se çmimet energjisë nuk do të preken për konsumatorët dhe për bizneset e vogla.

“Shpenzimet e vitit 2022 do të jenë më shumë se sa 27% e PBB që është vlera më e lartë në mbi 20 vite. Por kjo rritje do të shkojë për PPP-të të cilat do t’i kushtojnë buxhetit thuajse 2 mld euro. Shpenzimet kapitale janë 58 mln euro dhe këtu nuk është përfshirë rindërtimi dhe kanë një rënie me 10% në raport me vitin 2021.”

Tabaku më tej shtoi se buxheti i shtetit është i dedikuar për shpenzimet e PPP-ve. Më tej ajo rreshtoi disa prej koncesioneve dhe PPP-ve.

1. Rruga Milot-Fier (pjesë e autostradës Adriatiko Joniane që në vendet e tjera financohet nga BE dhe në Shqipëri nga buxheti) 178 mld lekë (1.4 mld Euro)

Kosto e kësaj rruge është 18 mln euro/km ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është 9.3 mln euro/km (burimi Eurostat). Rruga në fjalë do jetë e gjatë 115 km dhe ka 62 km ekzistuese dhe vetëm 53 km që do të ndërtohen rishtazi. Tani si ka mundësi që kjo rrugë që jepet me PPP ka një kosto që është 2 fish më e lartë se sa kostot e ndërtimit të rrugëve në BE?

2. Kolaudimi i Automjeteve (rishpallje) me vlerë 20.2 mld lekë (163 mln Euro)
3. Triport Vlorë me vlerë 5.6 mld lekë (45.6 mln Euro)
4. Siguria rrugore me vlerë 5 mld lekë (45 mln Euro)
5. Infrastruktura brenda qytetit të Elbasanit 882 mln lekë (6.7 mln euro)
6. Shërbimi i infrastrukturës së çelësave publikë që kanë lidhje me PPP të Fiskalizimit me vlerë 208 mln lekë (1.69 mln euro).

Ky koncesion është i lidhur me skemë të qartë tek Fiskalizimi. Qeveria futi me detyrim përcaktim bizneset në fiskalizimit, sipas kontabilistëve dhe sipas bizneseve shumica e tyre nuk kanë marrë akoma fiskalizimit. Qeveria ka parashikuar që të prodhojë certifikatën elektronike dhe çelësin Token përmes një skeme PPP ku është i përfshirë dhe AKSHI.

Kjo përpos se një rritje e kostos për bizneset ngre dhe një shqetësim tjetër atë të sigurisë së biznesit nga mosndërhyrja e një pale të tretë. Kosto vjetore aktuale e kësaj pajisje është 4000 lekë dhe me gjasë kjo kosto do të rritet edhe pse teknologjia ka avancuar.

7. Ndërtimi dhe operimi i aeroportit të Sarandës me vlerë 4.2 mld lekë (34.2 mln euro)

Deputetja Tabaku u shpreh se FMN i kërkon qeverisë që të manaxhojë më mirë shpenzimet dhe se qeveria duhet të shohë PPP-të duke i frenuar ndërsa qeveria vazhdonë të rrisë përqindjen e shpenzimeve për PPP-të. Raporti i FMN ishte dhe mbetet i qartë për qeverinë “shmangni shpenzimet inefiçente”

Vlera totale e koncesioneve bashkë me 7 koncesioneve të reja kapin vlerë e 851 mld lekë (8 mld USD ose 6 mld euro) apo sa 45.6% e PBB-së. Zgjerimi nga këto kontrata është me 11.3% në raport me vitin aktual. /abcnews.al/