(De) Kriminalizimi i politikës

schedule21:40 - 15 Tetor, 2022

schedule 21:40 - 15 Tetor, 2022

Në 17 dhjetor 2015 u votua me 130 vota pro ligji për dekriminalizimin. Ky është një ndër ligjet më unikë në historinë e shtetit shqiptar. Synon të përjashtojë nga politika dhe qeverisja njerëz me rekorde kriminale. Është një ligj që na dallon nga e gjithë bota demokratike ku sundon ligji. Na dallon edhe nga vendet me demokraci të brishtë vendet e botës së tretë sepse radhë kund e gjen një ligj të tillë. Mazhoranca socialiste dhe opozita demokrate e cilësojnë sukses këtë ligj edhe pse fakton kriminalizimin e politikës dhe institucioneve shtetërore.

Ne kemi një paradoks ligjor. E thënë me fjalë të thjeshta, nëse partitë nuk vendosin në tre emrat e listës një burrë ose një grua ligji e penalizon partinë politike deri tek mosrregjstrimi në zgjedhje, kurse nëse vendos 3 kriminelë në listë, nuk e penalizojnë partinë politike, por i zëvendësojmë ata me 3 mandate tjera vijuese. Ky është paradoks i madh. Në fakt penalizimi për partitë që kanë lista me të shkuar kriminale do duhej të ishte shumë më i madh. Këta bëjnë një ligj për të qenë korrekt me publikun, por nuk bëjnë një ligj për të penalizuar ata për përgjegjësit publike. Prandaj ne e shohim në mënyrë paradoksale, – partitë që kanë pasur më shumë individë të inkriminuar dhe pjesë të dekriminalizimit janë partitë që e quajnë sukses ligjin dhe sukses procesin pavarësisht se ato janë vetë arsyeja që u iniciua dhe u miratua ky ligj. Shqipëria është i vetmi vend që e ka një ligj të tillë. Brezave të ardhshëm do e kemi shumë të vështirë për t’ia shpjeguar, si ishte e mundur që ne e futëm në Kushtetutë dhe hartuam një ligj që të largojmë nga politika individë kriminelë ose me rekorde kriminale, sepse në mënyrë automatike njerëzit mendojnë se individët që kanë të shkuar kriminale nuk kanë përse të jenë në politikë dhe në funksione drejtuese. Fakti që Shqipëria shkoi deri në këtë ditë sa me ligj dhe Kushtetutë të kërkojmë largimin e tyre tregon sa thellë pati hyrë krimi në politikë edhe sa e fortë është sot lidhja midis krimit dhe politikës”, shprehet drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

“Është një lloj drame tani që shqiptari voton për një njeri që gjoja është i ndershëm del që s’është i ndershëm. Mirëpo ky këtu nuk është se ka hyrë nga xhepi i vet, e ka futur partia, tregon që partia bën kompromise të pista, sidomos për zgjedhjet lokale, këtë radhë nuk pati as konkurrentë, atëherë përse duhej që Edi Rama qeveria të vinte kaq shumë njerëz të implikuar. Me letra të falsifikuara, siç ndodhi këtë javë, tregon që nuk mjafton ligji po nuk pati një vullnet politik, po s’pati dhe instrumente të tjerë. Kush janë instrumentet e tjerë? Institucionet e pavarura, mediat e lira që e marrin dhe e shpërndajnë lajmin të mirë apo të keq, që e analizojnë në mënyrë korrekte, nuk bëjnë boritë e partive. Kështu që ligji ka luajtur një rol, por një rol të pjesshëm sepse për tu zbatuar një ligj duhen institucione të pavarura, duhet një  atmosferë politike krejt ndryshe nga ajo që është e sotmja, duhen media të lira dhe të pavarura, prandaj ligji ka funksionuar pjesërisht,” thotë për emisionin “Vetting” deputeti Dashamir Shehi.

Sipas gazetarit Agim Baçi është shqetësuese nëse krimi drejton politikën, pasi e ardhmja është në pikëpyetje: “Në fakt është pak e vështirë të mendojmë se politika vet ka forcën e vetëpastrimit. Ne duhet të shqetësohemi se brezat më vonë kur të lexojnë se ne e kemi bërë me ligj dekriminalizimin pra pastrimin e politikes do ndihen të turpëruar që ne e kemi pas me ligj me nxjerrë të inkriminuarit nga parlamenti, megjithatë edhe pse ligji u bë me bujë ne sot jemi prapë në pikëpyetje shumë të madhe lidhur me lidhjen që ka politika me krimin. Nuk është thjesht nëse e përdor politika krimin por kemi pikëpyetjen e frikshme nëse e përdor krimi politikën dhe ky është shqetësimi që duhet të na përfshi të gjithëve për shkak se nëse krimi përdor politikën, nëse krimi drejton politikën atëherë e ardhmja e gjithëve ne është në pikëpyetje shumë të madhe”.

Dhjetë vitet e fundit janë konstatuar disa qindra persona me të shkuar kriminale që mundën të marrin mandate deputeti, kryetar bashkie, drejtues të institucioneve të rëndësishme në të gjitha nivelet e administratës qendrore dhe vendore.

“Për hir të vërtetës ky fenomen filloj të shfaqej pas vitit 2014. Më shumë pati në organin legjislativ, persona të dyshuar si të dënuar dhe që më vonë rezultuan si të tillë”, thotë ish-prokurori Eugen Beci.

“Ne denoncuam në atë kohë 19 deputetë, pra një numër prej 19 deputetesh që ishin me rekorde kriminale. Po kështu kishim denoncuar të njëjtën gjë në administratë, në policinë e shtetit etj. Pra Edi Rama e kishte me një plan të qartë. Ai hapi portën, le të themi, të asaj fortese që është institucionet demokratike të shtetit që bashkë me kriminelët të merrte pushtet dhe më pas duhet tu kthente reston, pra tu jepte një funksion dhe më pas tu jepte edhe interesa të tjera. Ne tashmë e kemi parë penetrimin e kriminelëve jo vetëm në funksione, por marrjen e funksioneve shtetërore, pra nuk duhet të ishim në këtë situatë, për fat të keq ne shkuam aty dhe që erdhi si domosdoshmëri që të bënim këtë ligj, ligjin për dekriminalizimin,” shprehet për “Vetting” deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi.

Gjatë kohës kur nisi dyndja e elementeve me të shkuar kriminale, Eugen Beci ishte prokuror i krimeve të rënda. Ai na tregon dosjet e hetuara në atë kohë dhe gjurmët e kontingjentit kriminal që u përfshi në politikë. “Kam pasur të afërm të tyre në dosjet e hetimit të ndjekjes së tyre penale madje të afërm të tyre që gjatë hetimeve tona rezultonin që ishin me poste shumë të larta ndërkohë që ne hetonim vëllain apo një të afërm të tyre për çështje të rënda penale”.

Instituti i Studimeve Politike ka ndjekur në vazhdimësi rezultatet e aplikimit të këtij ligji, prej vitit 2015 deri në vitin 2022. Lista e politikanëve të inkriminuar është e gjatë. Për shkak të së shkuarës së lidhur me krimin, në shtator 2015 dha dorëheqje nga mandati parlamentar deputeti Arben Ndoka i Partisë Socialiste. Në nëntor 2015 dha dorëheqje dhe dorëzoi mandatin edhe deputeti Mark Frroku i partisë Kristian Demokrate, aleate me PS-në. Në mars 2015 u arrestua deputeti Tom Doshi i Partisë Socialiste. Më 13 qershor 2016 prokuroria kërkoi arrestimin e kryetarit të Bashkisë Elvis Rroshi. Ai u ndalua më pas nga policia dhe me vendim të gjykatës qëndroi disa muaj në arrest shtëpie.

“Fatkeqësisht partia që dikur përfaqësohej nga Dritëro Agolli, sot përfaqësohet nga këta këtu. Edi Rama ka vendosur të mos zbatojë ligjin e dekriminalizimit, të mos zbatojë vendimin e Prokurorisë, të KQZ, madje as vendimin e qeverisë së tij për largimin e Elvis Roshit nga detyra e kryetari të bashkisë së Kavajës”, kështu u shpreh deputeti i PD-së, Edi Paloka në një konferencë për mediat. Është për tu veçuar historia e këtij momenti pasi në fillim të procesit Rroshi paraqiti dorëheqje publike nga posti i kryetarit të bashkisë, por pas konsultimeve me drejtuesit kryesor të mazhorancës, 24 orë më pas e tërhoqi dorëheqjen dhe pas arrestit shtëpiak vijoi të ushtrojë funksionet e kryetarit. Këshilli i Ministrave nuk ndërhyri për shkarkimin e tij, megjithëse bazuar në ligjin e dekriminalizimit, mund ta inicionte këtë proces. Rama e mori në mbrojtje Elvis Roshin dhe përbetohej për pastërtinë e figurës së tij. “Do kisha dëshirë të vinte këtu krimineli që drejton Kavajën. A e keni parë çfarë bëri Elvisi apo Ervin? Si e ke ti se ti nuk dihet sa emra ke? Kemi kaluar një ligj për dekriminalizimin. E kemi kaluar një ligj sipas atij ligji nuk shpëton askush që ka bërë diçka. Mezi po pres zbatimin e ligjit që t’i dërgoj letër Lulit t’i thotë po ky si shpëtoj?” Në fakt Elvisi, Ervini apo sido që t’ia thoshte apo ia thotë emrin Rama, nuk i shpëtoi dot dekriminalizimit sepse u detyrua ta dorëzojë mandatin e kryetarit të bashkisë. Por Rama dhe mazhoranca socialiste nuk kërkoi kurrë ndjesë për kandidimin e tij e aq më pak për talljen me akuzën ndaj Roshit dhe mbrojtjen publike që i bëri duke dhënë garanci se nuk kishte rekorde kriminale në të shkuarën e tij.

 “Shtetasi Elvis Roshi, me funksion kryetar i bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin për dekriminalizimin si vijon: një dënim për veprën penale të përdhunimit në grup në vitin 1995 në Itali, nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil në 14 maj 1993 është ndaluar nga policia e Cyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik të vitit 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht të vitit 1997  është dëbuar sërish. Në vitin 2015 DEA ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Roshi për trafik droge dhe pastrim parash”, shkruhet në vendimin e Prokurorisë.

Në dhjetor 2016 KQZ vendosi heqjen e mandatit të kryetarit të bashkisë Kavajë. Ai e apeloi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, e cila me 23 mars konfirmoi shkarkimin e tij dhe aktin përkatës të KQZ. Njëzëri vendosi të shpall të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të bashkisë Kavajë z.Elvis Roshi”, shkruhet në vendimin e KQZ në dhjetor 2016. Për pasojë Bashkia Kavajë shpalli zgjedhje të parakohshme në 6 maj, të cilat u pamundësuan për shkak të krizës politike dhe u dekretuan të zhvillohen me 25 qershor, ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Po atë dhjetor të vitit 2016, me kërkesë të Prokurorisë KQZ u hoqi mandatin parlamentar deputetëve Shkëlqim Selami (LSI) dhe Dashamir Tahiri (PDIU)

  • Më 25 shkurt 2017 dha dorëheqje nga mandati edhe deputeti Armando Prenga (PS)
  • Në maj 2017 prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin e PS Vladimir Kosta, me akuzën e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit.
  • Gjatë vitit 2017 Prokuroria kërkoi hetime të thelluara për disa deputetë të tjerë, siç janë Artan Gaçi (PS), Gledion Rehovica (LSI), Aqif Rakipi (PDIU), Omer Mamo (PDIU) dhe Mhill Fufi (i pavarur), si dhe për kryetarët e Bashkive Tepelenë Termet Peçi (PS), Poliçan Adriatik Zotkaj (PS) dhe Pogradec Eduart Kapri (PD).
  • Në tetor 2017 parlamenti i hoqi imunitetin parlamentar ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
  • Në janar 2018, bazuar mbi ligjin e dekriminalizimit,  KQZ i hoqi mandatin deputetëve Gledion Rehovica (LSI), Aqif Rakipi (PDIU). Prokuroria njoftoi mbylljen e hetimeve për deputetët e tjerë Fufi e Mamo, si dhe për kryetarin e bashkisë Pogradec. Dhe lista vazhdon edhe në vitet në vazhdim.

“Shtetasi Dashamir Tahiri me funksion deputet rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit të dhëna si më poshtë: në vitin 1995 është raportuar nga policia në Fogjia për krime lidhur me falsifikime të parave. Në vitin 2009 është dënuar nga gjykata në Ravena për të vuajtur 9 muaj burgim për përdorim të një leje drejtimi të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia. Shtetasi Shkëlqim Selami me funksion deputet rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit të dhëna për një masë sigurimi arrest me burg. I dyshuar për pjesëmarrjen në një organizatat kriminale që merrej me trafikim të qenieve njerëzore masën e tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase ka qëndruar 1 javë në paraburgim”, shkruhet në vendimin e Prokurorisë.

Vetëm gjatë vitit 2015-2018, u shkarkuan nga detyra të paktën 110 drejtues të institucioneve të qeverisjes vendore, në nivelet më të larta të administratës publike deri tek ato më të ulëtat. Janë larguar për shkak të dekriminalizimit 45 Këshilltarë bashkiakë, qindra zyrtarë të nivele të ndryshme të administratës. “Një nga segmentet e çiftit Tahiri-Shullazi me lidhje të forta kriminale në aksin Tiranë-Durrës, është caktuar para disa javësh zv.drejtor i përgjithshëm i doganave shqiptare në krye të anti kontrabandës dhe hetimit doganor. I larguar nga komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës,” ka deklaruar deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.

Gjashtë deputetë u larguan nga salla e kuvendit të Shqipërisë të detyruar për shkak se u faktuan lidhjet e tyre kriminale në të shkuarën. Tre deputetë të tjerë dhanë dorëheqje për të njëjtën arsye. Tre kryebashkiakë u shpallën nën hetim për të shkuarën e tyre në lidhje me botën e  krimit. Një kryebashkiak u shkarkua për të njëjtën arsye. Disa të tjerë u detyruan të largohen pa hyrë ende në garë.

“Unë besoj që në atë numër të përgjithshëm, që tani nuk e di ekzakt cili është numër i fundit, por në atë numër të përgjithshëm, disa qindra zyrtarë shtetëror duke filluar nga një numër deputetesh që ose u hoqën nga ligji apo u larguan me nxitim para se ligji të funksiononte të hynte në fuqi apo t’i kapte ata, një numër kryetar bashkish që ikën apo u larguan ose kur kandiduan u detyruan mos ta merrnin mandatin. Me dhjetëra këshilltarë bashkiakë dhe me qindra funksionarë të administratës publike janë funksionarë, pozicion drejtorësh etj. Ligji ka bërë një shërbim të rëndësishëm interesit publik që ishte mbrojtje e institucioneve shtetërore nga penetrimi i krimit të organizuar, nëpërmjet ushtarëve të tij apo dhe përfaqësueseve të tij,” shprehet për “Vetting” deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi. “Mirëpo kur u bënë zgjedhjet lokale para 3 vjetëve në një kontroll të përciptë dhe të pjesshëm që bëri opozita deri tani kanë dalë nja 5-6 bashkiakë që i kap ligji, kryebashkiakë të cilët u përzunë dhe ato. Kjo tregon që ligji funksionon por pjesërisht sepse në radhë të parë këto nuk duhet të hynin,” thotë deputeti Dashamir Shehi.

Kështu lindi ligji i dekriminalizimit i cili është sanksionuar në Kushtetutë. “Së pari ajo që duhet theksuar është se Shqipëria s’duhet të ishte kurrë në nevojën që ndryshonte Kushtetutën dhe më pas miratonte dhe një ligj që është më i ashpri në Evropë, të paktën ai që ne quajmë ligji i dekriminalizimit. Nuk do të ishte kurrë në nevojën për ta bëre këtë sepse në kushte normale ne nuk do të kishim krime në parlament apo në institucione të tjera shtetërore. Fakti erdhi që në vitin 2013, Edi Rama erdhi në pushtet ndër të tjera duke bërë paktin me kriminelet jo vetëm e ndihmuan gjatë një fushate, por u premtoj funksione dhe i zgjodhi në funksione politike përfaqësuese siç ishin deputetët”, thotë për emisionin “Vetting” deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi.

“Thelbi i ligjit është spastrimi i posteve politike dhe kushtetuese në Shqipëri nga individ të tillë dhe krijimi i një sistemi merite karriere ku individët që shkojnë në këtë sistem të jenë jo vetëm të pastër por të kenë integritet, të kenë imazh të pastër politik, të kenë rekorde pozitive dhe qytetari kur t’i shikojë, të jetë i bindur se po shkon te zyrtari i lartë i shtetit i cili e njeh ligjin dhe kushtetutën e respekton etj. Por imagjinoni qytetarin e Lezhës, Durrësit, Elbasanit, i Vlorës, i Peqinit, i Beratit, përfaqësues  të cilin e kanë njohur në lagjen e tyre si kriminel, individi që ka trafikuar, individi që ka kërcënuar lirin e tyre, individin të cilin ata kanë pasur frikë në komunitetin ku ata jetojnë dhe imagjinoni që këta individë shkuan në politikë. Ne prandaj e bëjmë ligjin, që këta individë të mos hyjnë në politikë,” thotë drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

A është kjo elitë e inkriminuar produkt i shoqërisë tonë apo është rasti kur element të botës së krimit gjejnë rrugën e bashkëpunimit me politikën? Pra a janë këto shifra të kriminelëve në politike dhe qeverisje, tregues i një shoqërie të kriminalizuar? “Fakti që në administratën shtetërore apo në politikën në përgjithësi duke arritur dhe në institucionet më të larta siç është ai legjislativ që është kuvendi, ka mund të hyjnë edhe njerëz të kriminalizuar, nuk nënkupton që ka shumë kriminalitet në Shqipëri dhe ka shumë njerëz të dënuar në krahasim me mesataret e botës, por nënkupton diçka tjetër, – që politika gjithnjë i ka futur duart në këtë grupin e kriminelëve për t’i marr ata për vete për ti patur gjithnjë pas tyre për të patur më të lehtë marrje votash, për të patur më lehtë  manipulim pushteti. Pra e thënë me pak fjalë jo se kemi një kriminalitet më të madh se shumë vende të tjera, por thjeshtë kriminelet e dënuar në Shqipëri arrijnë të bashkëpunojnë më shumë me politikën”, tha ish-prokurori Eugen Beci.

Partitë politike, drejtuesit e tyre e cilësuan si një sukses të jashtëzakonshëm miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Pra një ligj që do t’i pastronte partitë që drejtojnë nga kriminelët. Por askush nuk kërkon falje të ta na thotë se kush e shtroi rrugën e tyre drejt parlamentit, bashkive e qindra dikastereve të rëndësishme në institucionet shtetërore. Për zgjedhjen e tyre askush nuk mban përgjegjësi. Nëse marrim rastin e deputetëve apo kryebashkiakëve, individë që zgjidhen nga populli, përgjegjësinë e mban kreu i partisë që i ka kandiduar. Sepse Kodi Zgjedhor i jep kryetarit të partisë të drejtën për të përzgjedhur listën e kandidatëve qoftë për deputetë a për kryetar bashkie. Por e drejta për të zgjedhur listën shoqërohet edhe me përgjegjësinë për secilin emër në atë listë. Kur u miratua ky Kod Zgjedhor, u synua që përmes kësaj përgjegjësie të kryetarit të garantohej integriteti i deputetëve dhe të zgjedhurve të tjerë qendror e vendor. Por në të vërtetë ndodhi ekzaktësisht e kundërta.

Kryeministri Rama ka deklaruar se përgjegjësia e kujtdo është personale: “Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale nuk është përgjegjësi partie. Partitë nuk janë drejtori policie, nuk kemi asnjë mundësi të ngremë salla torturash për selit e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka nëpër letrat që janë në dispozicion”. “Kur një individ konkurron si i pavarur edhe ai fiton pavarësisht rekordeve kriminale kjo është përgjegjësia individuale. Kur një individ kërkon nga partia politike dhe nga kryeministri në rastin konkret, për të kandiduar për kryetar bashkie apo deputet dhe kryeministri ka gjithë filtrave dhe të drejtën ligjore për të bërë një hetim të detajuar të individit përgjegjësia nuk është më individuale, ky individ ka marrë logon e partisë ka marrë bekimin e partisë dhe të liderëve politik dhe konkurron në emër të tyre dhe gjithë struktura e partisë vihet në dispozicion të tyre kështu në çdo rast në një vend serioz të partisë, në një vend të përmbushur, përgjegjësia nuk është më individuale por e personit që e promovon dhe e nxit atë,” thotë drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

Po cilat janë arsyet që liderët këmbëngulin kaq shumë për ti mbajtur në strukturat e tyre këta individë me të shkuar kriminale? Studiuesi Afrim Krasniqi sqaron se ata janë burimi kryesor për të siguruar votën për liderët dhe partitë e tyre.

“Liderët politik e kuptojnë se nëse ata e largojnë vërtet individët e korruptuar dhe të inkriminuar nga politika do jetë shumë e vështirë për të blerë votën, për të trafikuar pushtetin, për të ndjekur politikat klienteliste, për të qenë arrogant, të mos japin llogaridhënie edhe do jetë shumë e vështirë për të kontrolluar elitat publike, të cilat mund të kanë CV të pastër. Sepse një individ që ka CV profesionale dhe CV akademike të pastër, ka CV publike të pastër, ai do jetë shumë e vështirë për tu bërë militant i liderëve politikë. Kurse një individ që nuk ka CV përveç rekordeve kriminale është gjithmonë i gatshëm  për të qenë ushtar besnik i liderit nëse atij i thuhet, bli vota, na siguro 3 mandate, na kryej këtë porosi, –  ata e kryejnë sepse është e vetmja gjë që ata dinë të bëjnë”.

“Duke qenë se ndjekim përditë po themi statistika fenomenin e çështjeve penale që shoqërojnë një shoqëri për sa i përket kriminalitetit nuk mendova se do bëhej fenomen i përgjithshëm, por më vonë arritëm të kuptojmë qe politika në Shqipëria me mënyrën si po ecte nuk po bënte dot pa këto elementë të inkriminuar,” tha ish-prokurori Eugen Beci. “Unë them përzierje e politikës me botën e krimit. Fenomeni është pak më i thellë, në kuptimin, se këto njerëzit e krimit një pjesë prej këtyre janë të suksesshëm në biznes sepse kanë para të lira nëpër duar, i ofrojnë gratis sepse nuk i kanë fituar me djersë. Partitë politike shpesh herë i duhen këto njerëz, se vota mbledhin, kanë para, janë dhe të dhunshëm. Atëherë nqs partia bën sikur se kupton dhe nxjerr përpara interesat elektorale sesa interesat e shtetit ligjor të ndershmërisë venë këto personazhe. Sigurisht që një njeri që ka bërë 10 pallate që është dënuar nëpër botë për drogë dhe për prostitucion e mund një profesor të ndershëm, e mund me vota, një profesor i ndershëm burri më i mirë po e quajmë në një qytet të Shqipërisë do marrë 500 vota, 1 mijë vota nga njohja personale ai merr 2 mijë, merr 3 mijë është në avantazh ai dhe po ti japë edhe mbështetje partia sigurisht që fiton ai, mirëpo ai do çmimin mbrapa sepse është shpenzuar për këtë punë, prandaj na kanë ndodhur gjithë këto vite, por që të bëjmë sikur jemi budallenj sikur se kuptojmë që këto janë njerëzit që i ka vënë partia ky është një maskarallëk i madh. Dmth ky lloj fenomeni ka qenë në Shqipëri, hiq ato dy mandatet e para që ishte me një idealizëm akoma, por që kur ka ardhur qeveria Rama këto 2, 3 mandatet e fundit ky është bërë fenomen masiv. Sa që unë gjykoj që kam frikë që brenda këtij grupi që hiq një pjesë njerëzish që i duhen për kornizë qeverisë socialiste pjesa tjetër janë të gjithë derivate i kësaj bote,” thotë deputeti Dashamir Shehi.

“Jemi përpara hapjes së portave. Nevoja që këta njerëz të cilët ju është kërkuar të ndihmojnë PS në fushata zgjedhore që të mbledhin vota. Atyre që janë në nivele më të ulta, u kanë gjetur një vend pune ndërsa atyre që janë në nivele më të larta i kanë zgjedhur kryetar bashkish apo këshilltar apo i kanë sjell në parlament, dhe më pas mbasi kanë bërë këto pozicione u kanë dhënë tendera, u kanë dhënë leje, licenca, koncesione dhe më pas kur nuk i kanë mbajtur dot më përsëri i kanë transferuar në parti apo kanë vazhduar biznesin e ndyrë, të pisët, korruptiv duke u dhënë pasuri publike të shqiptarëve këtyre individëve me rekorde kriminale. Ligji në vetvete ka prodhuar një statistikë shumë të rëndësishme gjë që duhet të shërbej dhe të çohet përpara,” thotë për emisionin “Vetting” deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi.

Kriminalizimi i politikës dhe administratës, nuk u ndesh kurrë në presionin apo rezistencën e shoqërisë civile. Janë sporadike rastet e denoncimit duke përjashtuar turmat e rrjeteve sociale ku secili shkruan ndonjë fjalë në formë proteste. Por kur në sallën e kuvendit hynin apo dilnin persona me të shkuar kriminale, nuk u pa ndonjë listë intelektualësh, artistësh a shkrimtarësh të ankohen për këtë standard banal dhe të rrezikshëm të drejtimit të shtetit dhe politikës.

“Të më falin ato zotërinjtë por unë mendoj se nuk ka shoqëri civile. Por sigurisht që mund të ketë ndonjë grup për hir të financimit nga të huajt mban një qëndrim autonom, por normalisht që pjesa tjetër është e kontrolluar nga qeveria, nga grupet e biznesit dhe nga disa situate të tjera dhe unë nuk shikoj të luaj ndonjë rol pozitiv. Po e përsëris edhe njëherë, më vjen jashtëzakonisht keq që jemi në këtë gjendje. Mirëpo shoqëria civile nuk mund të bënte ndryshim nga i gjithë sistemi. Këtu është i gjithë sistemi i korruptuar nga sistemi politik parlamentar, qeveria ka institucionet e veta ekzekutive. Drejtësia që fatkeqësisht u bë e gjithë kjo reformë, u bë zhurmë e madhe, por rezultatet janë pak për zhurmën që është bërë. Sigurisht që nuk mund të shpëtonte nga kjo situate edhe shoqëria civile,” thotë deputeti Dashamir Shehi.

“Pika e dytë e nenin 7,ku thotë, që mbi 500 shtetas me të drejtë vote kanë të drejtë të verifikojnë gjithkënd me kushtin e vetëm që parashikonte ligji që të kenë të dhëna konkrete për dënimin apo për veprimtarin kriminale që mund të këtë patur dikush I zgjedhur apo I emëruar një post publik ku populli je ti,port ë jesh e bindur që kam përshtypjen se shumë njerëz nuk e dinë që ekziston një nen  i tillë,” tha për “Vetting” ish-prokurori Eugen Beci.

Një nga ngjarjet  që më ka tronditur ka qenë thënie e një filozofi që thotë që gjëja më e trishtë që mund të ndodhi një vendi është. Po të jesh i ndershëm është e kotë, – dhe ne sot fatkeqësisht kemi krijuar idenë iluzionin që nuk ja vlen më të jesh i ndershëm, nuk ja vlen më të jesh i ditur, nuk ja vlen më të jesh i drejtë, nuk ja vlen më të zbatosh ligjin dhe kjo ka krijuar këtë lloj kaosi d.m.th. këtu nuk ka më një shembull që njerëzit që kërkojnë ta bëjnë këtë vend. Unë mendoj që ka njerëz që e duan këtë vend, duan të bëjnë këtë vend, janë të ndershëm por nuk e ndryshojnë dot, edhe ne si media kemi përgjegjësi që nuk i pasqyrojmë më shumë këta njerëz që nuk do të ishin pjesë e korrupsionit, do ta luftonin korrupsionin, por nuk i promovojmë dhe politika duke ardhur në këtë pikë marrëveshje në marrëdhënie me korrupsionin nuk u ka lejuar këtyre personave që të jenë shembull për tjerët. Shoqëria civile ka përgjegjësin e vet që nuk është bërë barrierë e fortë që politikanët të cilët kanë qenë në mos të korruptuar, në mos të akuzuar për persona që kanë bllokuar jetën politike të vazhdojë, ose kanë bllokuar promovimin e asaj që quhet zbatimin e ligjit në shtetin e së drejtës. Me inkurajimin e personave të aftë duhet të kishin ikur dhe shoqëria civile për hir të vërtetës ka heshtur, sidomos tani që ka vite që ka heshtur dhe nuk është më promotore e ndëshkimit të së keqes e shembullit të keq dhe sot personi që lexon, personi që kërkon të drejtën duket diçka jashtë shoqërisë dhe si diçka jashtë normalitetit. Kjo është ajo që duhet të jetë një problem për të gjithë ne sepse do na verë në pikëpyetje shumë të madhe me mënyrën se si komunikojmë me fëmijët tanë. Si do ju themi? Cili është shembulli? Çfarë duhet të ndjekim? Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe,” shprehet gazetari Agim Baçi.

Kemi parë shpesh lista intelektualësh duke mbrojtur kauza të iniciuara nga politika dhe për interesat ë politikës, por s’kemi parë lista intelektualësh të angazhohen në mbrojtje të interesit publik. Intelektualë, artistë, shkrimtarë, gazetar etj janë të rreshtuar nëpër llogoret politike dhe kështu, ata mungojnë në rolin e tyre për përmirësimin e nivelit të demokracisë. Ka intelektualë që pranojnë të sponsorizohen nga këta persona që na vijnë nga bota e krimit. Ndoshta lidhet edhe me tiparet e një shoqërie parapolitike. Historia na tregon se modelet e heronjve na vijnë pikërisht nga “bota e të fortëve”

“Unë uroj që të ndërtohet njëherë një shoqëri civile në Shqipëri të ketë kurajë ti thotë lirshëm mendimet e veta pastaj sigurisht që do lunte një rol pozitiv. Sot për sot janë të dizonfirmuar, janë të interesuar për disa projekte që janë të interesuar për disa projekte që i financon qeveria ose ndërmjetësit e qeveris për institucionet e huaja,ambasada etj. Unë shoqëri civile që të përballet me të keqen nuk shikoj,” thotë deputeti Dashamir Shehi. “Unë personalisht them që kam njohur njerëz që kanë ditur të ngrenë zërin e tyre. Unë mendoj që edhe një njeri qoftë edhe nëse është në psherëtimë,sepse njeriu që thotë të vërtetën edhe në psherëtimë duhet të dëgjohet deri në fund të botës. Çështja është se që mbas vitit 90 them se është abuzuar. Intelektual nuk do të thotë se ke mbaruar shkollë,intelektual nuk do të thotë se ke 2 diploma,intelektual nuk do të thotë ke doktoraturë titull profesor. Intelektual do të thotë të lesh mënjan interesat e tua personale dhe të shikosh se çfarë i përket kësaj shoqërie dhe si mund të kontribuosh ti për pjesën tjetër të shoqërisë dhe të shikosh raportin tënd individual. Unë mendoj se intelektuali që trashëguam ne nga diktatura është një tundës koke dhe sot cili prej jush që jeni më të rinj se mua besoni se akademia e shkencave do ti kërkoj llogari qeveris dhe politikës dhe kjo është në një pikëpyetje të madhe me atë që ne kemi dashur të ndërtojmë me fjalën intelektual. Unë mendoj se fjalën intelektual e meritojnë  ata që lënë interesat e tyre mënjan dhe din të jen pjesë dhe ti bëjnë ata me zë të lartë,” shprehet për “Vetting” gazetari Agim Baçi.

“Nëse ne shohim traditën e Shqipërisë gjithmonë kemi parë që atentatorët edhe figurat që kanë pasur dhe akte të njohura kriminale në konceptin e kulturës tonë politike janë quajtur heronj, janë quajtur njerëz të fortë, njerëz që në një moment të caktuar kanë marrë vendimmarrje të rëndësishme dhe ky lloj mentaliteti që nuk lidhet me një shoqëri demokratike por me një shoqëri të pakultivuar politikisht është shfrytëzuar nga këta individë. Këta individ janë njerëz të pasur,këta individ nuk janë produkt i një gare në politik por janë njerëz që kanë gjetur ligje te kryetari i partisë dhe stafit drejtues ,kanë paguar për mandatet e tyre,kontrollojnë zona të caktuara të zonave bastion dhe janë të gatshëm të blejnë votat ,të kontrollojnë kundërshtarët politik ,mediat lokale edhe deri diku të imponojnë aktet e tyre politike dhe vendimmarrjen e tyre dhe si të  tillë e duan aktin e tyre politik dhen pjesëmarrës jo vetëm për të fituar por e duan për të krijuar një status politik dhe për të rehabilituar veten e tyre, mbiemrin e tyre dhe familjen e tyre,” thotë drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi .

Ndaj dhe u hartua ligji për ta pastruar politikën.

Kanë kaluar 7 vjet prej miratimit të këtij ligji. ISP ka kryer një studim me rezultate e dekriminalizimit ne tri vitet e para. Sipas këtij studimi, Instituti i Studimeve Politike verën se impakti që ka dhënë ligji i dekriminalizimit është ende minimal, larg pritshmërive të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Partitë politike e kanë shfrytëzuar ligjin për dekriminalizimin për akuzuar njëra tjetrën për individët me rekorde kriminale, por partitë kanë bërë pak ose aspak për të larguar nga radhët e tyre individët që kanë rekorde kriminale. ISP ka kryer një sondazh muajt e fundit që na tregon që më shumë se dy të tretat e qytetarëve mendojnë se personat e inkriminuar, të larguar nga dekriminalizimi, vijojnë të kenë ndikim direkt ose indirekt në politikë dhe në vendimmarrje.

“Ne kemi bërë disa herë propozime parlamentit që ligji për statusin e deputetit do të duhet të kishte mendime ligjore në funksione të ligjit të dekriminalizimit. Deputeti, i cili largohet nga parlamenti për rekorde kriminale, nuk mund të gëzojë privilegje si një deputet normal, nuk mund të ketë pasaportë diplomatike ai dhe familja e tij në 3 vitet e ardhshme siç i kanë deputet në Shqipëri, nuk mund të gëzojë privilegje lidhur me jetën e tij politike, nuk mund të kthehet në listat elektorale siç ka ndodhur vazhdimisht dhe ky është një nga paradokset më të mëdha të ligjit. Për shkak se ne nuk kemi ndërtuar një mekanizëm që e monitoron zbatimin e ligjit, të cilët bëjnë një raport të shikojnë se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq, ku jemi dhe ku s’jemi dhe në çfarë duhet ndërhyrë dhe kush ka vepruar sipas dëshirave të veta? Unë po ju marrë vetëm një shembull se ligji ngarkon parlamentin që brenda 60 ditëve të miratonte listën e shteteve të botës ku do të duhej të vepronte ligji i dekriminalizimit, do të thotë se nuk mund të veprojë ligji njësoj nëse individi dënohet në Greqi apo në Kosovë me individin që dënohet në SHBA apo Australi. Sot e atë ditë që është miratua ligji parlamenti nuk e ka marrë ende këtë lloj vendimi dhe sot nuk ka një listë zyrtare të vendeve ku individi ka kryer akte kriminale. Ne kemi me termat vendet e BE, SHBA, Kanada, por ju e dini se vendet e BE kanë lëvizje, ka vende si Britania që kanë dalë dhe ka vende të reja që po hyjnë, dhe ligji i dekriminalizimit nuk e ka parashikuar këtë gjë. Në vend që parlamenti të ulet dhe të shikoj ku ka funksionuar dhe ku s’ka funksionuar ligji dhe të forcojë dispozitat që vërtet të sjelli politik të pastër parlamenti është mbytur në atë që quhet përgjegjësi dhe është bashkëfajtorë në gjithë këtë proces dhe ka krijuar perceptimin e përgjegjshëm dhe duke qenë bashkëfajtorë e si i tillë e ka të pamundur për ta jetësuar realisht dekriminalizimin,” thotë drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

Studimi i ISP na tregon se qytetarët mendojnë që lidhjet personale politike, roli i tyre në fushatën politike, korrupsioni i lartë dhe sistemi klientelist i karrierës janë arsyet kryesore që personat e inkriminuar marrin postet politike/zyrtare (në total 83.6%). Interesante është gjetja se në perceptimin publik individët e inkriminuar nuk duan poste politike dhe zyrtare për pasurim financiar, por për të fituar imunitet e status social, pra për të legalizuar pasurinë, ndikimin dhe biografinë e tyre.

Përgjatë këtyre shtatë viteve kur ka nisur të funksionojë ligji i dekriminalizimit, janë me qindra rastet e personave me të shkuar kriminale që kanë dalë jashtë sistemit dhe ky quhet sukses nga të dyja anët e politikës. Megjithatë, të dhënat na tregojnë se po aq të tjerë ose më shumë gjenden në sistem ende të pazbuluar pasi ligji i dekriminalizimit nuk e garanton plotësisht pastrimin e politikës dhe institucioneve nga personat me të shkuar kriminale.

Në kohën kur u miratua ligji thelbi i ligjit ishte se individët që kanë pretendime për të marrë poste publike dhe për të bërë pjesë publike vendimmarrje në Shqipëri, por që ka rekorde kriminale, do të duhet të bllokohen. Dhe për tu bllokua u miratua ligji, u miratua filtrat u miratuan institucionet. Në fakt ndodhi se instrumentet, të cilat parlamenti, qeverisja qendrore, qeverisja lokale i miratuan aktet nën ligjore për këtë gjë, por asnjë nga partitë politike nuk i miratoj aktet në kohën e ligjit. Vendimet e partive dolën shumë më vonë praktikisht dolën për kandidaturat e reja dhe jo për të vjetrat dhe asnjë nga individët që janë larguar nga dekriminalizimi nuk është larguar nga partitë politike. Të gjithë janë larguar nga parlamenti dhe struktura e tyre vendimmarrëse, por të gjithë gëzojnë një imunitet partiak që në Shqipëri është herë është edhe imunitet më i madh dhe me pasoja. E thënë me fjalë të thjeshta, nëse një deputet i sjell dëme të madh shoqërisë sepse miraton ligje dhe nëse ai ka rekorde kriminale do të thotë se edhe aktet e tij janë gjithmonë të dyshimta jo vetëm moralisht por edhe në aspektin e klienteles dhe standardi i ligjit po ky i njëjti deputet në një rreth të caktuar të periferisë, për shkak të pushtetit të madh që kanë politike, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se sa ai vendos për administratën publike për vendimmarrje lokale. Ai ndikon dhe në emërime të administratës dhe strukturës lokale edhe si të tillë, do të duhej që shoqërimi në moment që largohen nga politika qendrore do të duhej qe penalizimi të shkonte dhe në bazë, do të duhej të largohej nga partia politike dhe nga strukturat vendimmarrëse,” thotë për “Vetting” drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

“Partia socialiste e Edi Rama qartazi mori një pjesë prej këtyre dhe I kaloj nga parlamenti, u dha funksione ose zyrtarisht ose informalisht por qartazi në sy të gjithëve funksione drejtimi partiak në strukturën drejtuese, lokale të Partisë Socialiste. Kjo mund të ketë ndodhur edhe në parti të tjera por ajo që është pra qeveria, mazhoranca partia e qeverisë është ajo që i ka dhënë një model shumë të rëndë dhe të shëmtuar duke fshehur nën tapet në një farë mase atë problem që kish krijuar, duke i futur këta në institucion. Tani institucionet duke patur parasysh se sa shumë i politizuar është shteti shqiptar roli shumë i fortë i partisë, sidomos partisë qeverisëse aq më tepër me kapjen e gjitha pushteteve nga partia që është në qeveri roli i këtyre individëve mbetet shumë i fortë. Individëve me rekorde kriminale mbetet shumë i fortë edhe pa qenë të zgjedhur. Janë ata që drejtojnë struktura ,janë ata që komandojnë emërimin apo poste të tjera,, vënien tek njerëzit e tyre çojnë përpara interesat e tyre kriminale”, shprehet deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Edhe pse rezultatet e dekriminalizimit konsiderohen jo të plota, sidoqoftë ky ligj ka shqetësuar një pjesë të rëndësishme të grupimeve që kanë synuar ti afrohen politikës për të mbrojtje prej ligjit. Disa prej tyre, janë larguar nga sistemi për shkak të dekriminalizimit por kanë gjetur mënyra të tjera për të qenë pjesë e politikës. Prej shtatë vitesh, ligji i dekriminalizimit ka prodhuar një listë të gjatë personash me të shkuar kriminale. Shumë prej tyre e kanë kryer dënimin dhe drejtësia shqiptare nuk ka rol për të luajtur. Por Prokuroria do të duhej të kishte rol në disa faza të dekriminalizimit. Perceptimi I publikut për punën e prokurorisë në këtë proces, është se prokuroria ka munguar në rolin që i përcakton ligji i dekriminalizimit. Ish-prokurori Eugen Beci mendon të kundërtën pasi e sheh gjithë problematikën tek ligji.

“Me bazë të ligjit ka të drejtën e vendimmarrjes,se duhet të kuptojmë prokuroria bën verifikimin dhe më pas ja dërgon kuvendit, kryeministrisë, drejtorisë së përgjithshme të policisë apo drejtorisë së shërbimit informativ, për institucione që kanë persona të dyshuar dhe kanë rezultuar nga verifikimi që kanë qenë të dënuar. Me pak fjalë prokuroria bën hetimin dhe i çon rezultatin këta persona janë të dënuar këta persona janë të dënuar dhe vendimin e ka autoriteti që e ka punësuar apo autoriteti që e ka zgjedhur personin.

Ka dy arsye njëra është teknike tjetra është politike. Politike është sepse partitë nuk arrijnë të promovojnë 2,3 muaj përpara, aq sa duhet të ketë mundësinë për ti bërë hetimin e detajuar të tyre por ne jemi dëshmitarë listat e kandidatëve dorëzohen në momentin e fundit madje në orën fiks kur skadon afati ligjo. Imagjinoni nëse të gjitha partitë politike në Shqipëri t’ia dërgojnë prokurorisë të gjitha emrat për verifikim në fakt prokuroria do vihej në vështirësi pavarësisht se ligji ngarkon prokurorin. Prokuroria nuk i ka mjetet ligjore, as burimet njerëzore as mjetet financiare dhe as mjete administrative që t’i kthej përgjigje për dy muaj për 12 mijë kandidatë sa vijnë nga partitë politike brenda një afati 40 ditor. Kështu që praktikisht kur parlamenti ka miratuar këtë lloj detyrimi e ka miratuar më shumë për t’iu bërë qefin të huajve dhe për t’iu thënë ndërkombëtarëve që ne ja kemi një filtër verifikimi për ta bërë të zbatueshëm ligjin dhe ky është problem i madh. Edhe ligji i dekriminalizimit edhe një sërë parimesh të dekriminalizimit, përfshirë dhe aktet e brendshme të partive politike, janë krijuar më shumë për të huajt se sa janë krijuar për tu zbatuar realisht në Shqipëri.” thotë për “Vetting” drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

Liderët e partive politike kanë pranuar në parlament dhe zyra të tjera të shtetit shqiptar persona me të shkuar kriminale. Por Liderët e partive politike nuk e kanë për turp të shfaqen nëpër fotografi edhe me elemente të botës së krimit të cilët mund të jenë ende në ndjekje nga drejtësia. Liderët nuk ndëshkohen asnjëherë ndërsa një gjyqtar a prokuror ndëshkohet me largim nga sistemi i drejtësisë nëse ndodh të gjendet një lidhje me elemente të botës së krimit.

“Ne po shohim në vettingun në drejtësi se shkaku për të cilën shkarkohet prokurori gjithmonë nëse ka të dhëna se në një moment të karrierës së tij ka udhëtuar apo ka pasur një person me të shkuar kriminale kurse në politikë ne shohim individët, të cilët i kanë marrë personat me të shkuar kriminale i kanë future në politikë, janë sponsorizuar prej tyre, nuk mbajnë përgjegjësi dhe ky është një tjetër paradoks i madh që ndjek politika,” shprehet për emisionin “Vetting” drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.

Askush nuk ndjen turp e aq më pak përgjegjësi për takime me pjesëtarë të botës së krimit. Janë me dhjetëra rastet kur edhe liderët e partive politike janë shfaqur në fotografi nëpër tavolina restorantesh me element të spikatur të botës së krimit. Janë disa drejtuesit e partive politike apo anëtar të tjerë të rëndësishëm të forumeve e grupeve parlamentare, që janë fotografuar më shumë se një herë me persona me të shkuar kriminale, kanë bashkëpunuar me ta dhe i kanë mbajtur në tavolinat e tyre, në zyrat e tyre. Por asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar kurrë ndonjëherë.

Por nuk është fjala vetëm për një fotografi apo disa të tilla. Është fjala për përfshirje konkrete të personave me rekorde kriminale në radhët e politikës dhe qeverisjes, fenomen që solli domosdoshmëri ligjin e dekriminalizimit. Ky ligj do të na kujtojë një kohë kur kriminelet hynë në çdo skutë të politikës e qeverisjes dhe u ngjiten deri në majën më të lartë të saj, në sallën e kuvendit të Shqipërisë.

Dekriminalizimi i sanksionuar në kushtetutën e Shqipërisë do të mbetet si njollë turpi përgjithmonë.

 /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!