Manchester City fitoi 0-2 jashtë fushe kundër Newcastle dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e FA Cup ditën e djeshme. “Cityzens” realizuan nga një gol për pjesë dhe tani do të përballen me Arsenalin për një biletë në finalen e madhe (Man United-Chelsea çifti tjetër).
Kevin De Bruyne zhbllokoi shifrat me një penallti, duke gjetur golin e 12-të sezonal, ndërsa Rahem Sterling vulosi fitoren e miqve me një gol të bukur në pjesën e dytë. Belgu ka folur në lidhje me ndeshjen, teksa rrëfen se ai dhe shokët e tij duhet të kishin shënuar më shumë gola.
“E nisëm shumë mirë ndeshjen, u treguam të fortë dhe i vumë nën presion kundërshtarët. Duhet të kishim shënuar më shumë gola. Kam luajtur në shumë pozicione gjatë karrierës time, trajneri më kërkoi të provoja diçka të re (u aktivizua si i djathtë në mesfushën me tre), duke u bazuar te fakti që Newcastle luan me 5 mbrojtës.
Unë punoj gjithmonë për të mirën e skuadrës. Ndeshjet pa tifozë? E dimë që është me të vërtetë e çuditshme, nuk është diçka që më argëton, por jemi profesionistë dhe duhet të vazhdojmë përpara në këto kushte“, deklaron De Bruyne. /abcnews.al

