De Biazi u pengua nga Marçelo Lipi që të ishte trajner i Italisë

schedule21:06 - 20 Nëntor, 2017

schedule 21:06 - 20 Nëntor, 2017

Autoritetet kryesore sportive italiane tregojnë se Xhani De Biazi u pengua nga Marçelo Lipi për t’u bërë trajner i Italisë. ABC News zbuloi një vit më parë pikërisht emrin e Lipit, si njeriun që dëmtoi karrierën e ish-trajnerit të Shqipërisë.

Një vit më parë, ABC News tregoi se kush pengoi Xhani De Biazin të bëhej trajner i Italisë.
Emri që u deklarua atëherë, ai i famshëm i Marçelo Lipit, u pohua tani me zë të lartë në Itali.
Ishte autoriteti më i lartë sportiv në Apenine, presidenti i Komitetit Olimpik, Xhovani Malago, që pohoi të vërtetën e tij direkt në ekranin e televizionit publik, “RAI UNO”.

“Ishte një hipotezë për Marçelo Lipin. Lipin e njoh shumë mirë dhe kishte një ide se mund të kthehej nga Kina. E takuam, unë dhe Tavekio, dhe Lipi ishte shumë i qartë. Unë jam dakord të ndihmoj, por nuk dua të jem trajneri. Në këtë moment, Lipi tha që t’i jepnim një javë kohë për të gjetur trajnerin. Ishte emri i Venturës, ishte i De Biazit që po largohej nga Shqipëria, ishte Montela që nuk kishte firmosur ende me Milanin, por edhe Spaleti. Lipi më pas na tha se zgjedhja më e mirë ishte Xhan Piero Ventura”.
Kësaj deklarate i bëri jehonë edhe presidenti i dorëhequr i Federatës, Karlo Tavekio.
“Mbrëmë, presidenti i Komitetit Olimpik, u shpreh se trajnerin e kombëtares, pasi u analizuan katër kandidatura, e zgjodhi Marçelo Lipi. Unë këtë nuk e kam thënë kurrë, pasi bisedat private nuk i bëj publike. Kam thënë se Venturën e zgjodhi Karlo Tavekio, jeni të gjithë dëshmitarë. Tani e morët vesh se nuk e kam zgjedhur unë”.

Reagimi i Marçelo Lipit ishte i menjëhershëm dhe ish-trajneri kampion i botës me Italinë, mohoi ta kishte zgjedhur ai Venturën.
Gjithsesi, Lipi pohoi se nuk kishte biseduar aspak me De Biazin.
Burime në kombëtaren shqiptare pranë De Biazit, pohuan atëherë për ABC News-in se vetë trajneri kishte deklaruar emrin e Lipit si njeriun që e pengoi të realizonte ëndrrën e jetës, pra të drejtonte Italinë.

Vetë De Biazi ka deklaruar publikisht se është dikush që e pengoi, por ka shtuar se emrin e tij do ta thotë më vonë.
Aktualisht, trajner i Alaveshit në La Liga të Spanjës, De Biazi nuk iu përgjigj kërkesës së ABC News-it për të sqaruar nëse kishte qenë Lipi që ia kishte dëmtuar karrierën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!