Gianni De Biasi mbetet një nga personat më të dashur të popullit shqiptar. Trajneri italian i dhuroi tifozëve emocione të paharrueshme dhe ia doli të kualifikonte kombëtaren kuqezi në Euro 2016.
63-vjeçari nuk e harron aventurën fantastike me kuqezinjtë, ndërsa është pranë rikthimit në stol. Irani është gati t’i dorëzojë pankinën dhe akordi është afër. De Biasi zbulon gjithçka në një prononcim për Italiasera, aty ku flet edhe për kujtimet më të bukura të karrierës së tij.
IRANI – “Po merremi me disa detaje dhe gjërat nuk bëhen kurrë pa ardhur firma. Jam i disponueshëm në çdo moment”.
SHQIPËRIA – “Te Shqipëria kam kaluar 5.5 vite intensive dhe me një dëshirë të madhe për të treguar veten. Arritëm një objektiv të pamenduar në fillim. Kam punuar gjithmonë me shumë përkushtim te Shqipëria dhe isha i bindur që rezultatet do të vinin në fund, falë një metodologjie të përcaktuar mirë dhe duke i bërë djemtë të ëndërronin me sy hapur. Në fund ia dolëm të realizonim të pamundurën”.
KLUB APO KOMBËTARE? – “Nuk bëj dallime, unë jap gjithçka nga vetja në gjithçka që bëj. Ajo që ka rëndësi është sesa arrij të përfshihem, qoftë klub apo kombëtare. Rëndësi ka të përcaktosh objektivat në fillim dhe t’i arrish më pas. Qartësia në objektiva është parakushti i parë për të bërë një punë të mirë”.
KUJTIMET MË TË BUKURA – “Kam shumë. Kualifikimi në Europian me Shqipërinë është padyshim një ndër më të bukurit, sepse arritëm ta dërgonim kombëtaren aty ku nuk e kishte menduar as tifozi më optimist. Kujtimi tjetër i bukur është Modena. Arrita të ndërtoj një skuadër që e nisi nga Serie C dhe mbërriti në Serie A. Fituam në kryeqytet përballë Romës, që renditej në vend të dytë. Më pas vjen Torino. Kishim merkaton e bllokuar, ndërtuam një skuadër në pak ditë dhe ia dolëm ta dërgonim ekipi në vend të parë”. /abcnews.al