Deputeti i PS Petro Koçi në “Ora e Fundit” në ABC News komentoi zhvillimet politike në vend si edhe diskutimet për datën e zgjedhjeve.
Gjatë intervistës Koçi theksoi se është shumë e rëndësishme që të diskutohet, duke shtuar se gjithashtu Diasporës duhet t’i jepet mundësia për të votuar.
“Mendoj që koha deri në ditën e zgjedhjeve duhet shfrytëzuar sa më mirë dhe kur kemi parasysh aspektin e votës së Diasporës kemi nevojë për më shumë kohë. Pra ne duhet të diskutojmë lidhur me datën e zgjedhjeve në përputhje me standardet që kërkon Kodi Zgjedhor dhe sidomos me këtë fenomen të ri që Diaspora të ketë mundësi për të votuar.
Mund të them që të gjithë kemi nevojë për një afat më maksimal për të arritur disa standarde që këtë herë kanë një vështirësi të re që lidhet me votën e Diasporës. Nëse partitë e vogla e shohim votën e Diasporës si një gjë që i dëmton atëherë është një aspekt shumë i ngushtë. Kriteri kohë duhet të jetë sa më i plotë në dispozicion pasi ka akoma disa pengesa që nuk janë zgjidhur dhe diskutohet që një ndryshim në kod mund të ketë. Nuk e di çfarë date ka parasysh opozita, por është një argument që nuk mund të rrëzohet për alibi.
Ai komentoi edhe thirrjet e ish presidentit Ilir Meta për të zhvilluar protesta para SPAK.
“Është në vazhdën e sjelljes së zotit Meta. Këto vitet e fundit ka performuar disa sjellje të çuditshme. Nëse është një gjë serioze duhet të jetë e komentuar me Berishën, përndryshe do të jetë si nga ato që kemi parë nga Meta vitet e fundit”, tha Koçi.
Lidhur me miratimin e buxhetit dhe protestës së opozitës, deputeti i PS, theksoi se u pa që ishte një protestë e dështuar. Sipas tij kjo taktikë e PD po e ul mbështetjen tek simpatizantët pasi njerëzit shtoi ai po e kuptojnë që po përdoren.