Dashuria e dyfishtë, si e vranë dhe hodhën në rezervuar tre autorët të riun në Maliq

schedule12:20 - 18 Qershor, 2022

schedule 12:20 - 18 Qershor, 2022

Policia e Korçës ka zbardhur ngjarjen, ku trupi i një 26-vjeçari Martin Çeço u gjet në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq. Të arrestuarit janë Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj.

Sipas policisë, ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë të riun, duke e mbytur dhe më pas e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit. Pasi kanë kryer krimin ata janë munduar që të inskenojnë ngjarjen si vetëvrasje. Autorët kishin lënë shapkat e viktimës jashtë rezervuarit që të dukej si vetëvrasje.

Si u gjet trupi i 26-vjeçarit

Trupi i pajetë i Martin Çeço u gjet dy ditë më parë në rezervuar, në fshatin Kolanec. I riu rezultonte i zhdukur dhe u denocua në polici  nga familjarët. Gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit. Ai u transportua në morgun e spitalit të Korçës, ku iu nënshtrua ekzaminimeve për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Sipas hetimeve autorët i kanë marrë jetën të riut duke e mbytur dhe më pas e kanë hedhur në rezervuar.

Shkaku i vrasjes

Shkak i vrasjes dyshohet të jetë bërë një vajzë, me të cilën 26-vjeçari kishte lidhje. Sipas burimeve vajza kishte krijuar një lidhje paralele me viktimën dhe një nga autorët.

Burime bëjnë me dije se 26-vjecari kishte njohje me një vajze me të cilen komunikonte vazhdimisht. Njohjen e kanë mësuar autorët, të cilët i kanë kërkuar 26-vjeçarit të mos e vazhdojë. Bisedë të cilën 26-vjeçari nuk e ka ndërprerë.

Në kushte të tilla sipas të njëjtave burime autorët, bisedën mes të rinjve ia kanë bërë të ditur dhe babait të viktimës, por duket se as presioni i babait se ka ndaluar 26-vjeçarin të ndërpriste bisedën me vajzën. Ajo çfarë dihet është se djali nuk kishte mbaruar as shkollën 9 vjeçare, madje nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Sipas banorëve viktima nuk lëvizte nga fshati i tij.Ai merrej vetëm me prerje të lendës drusore bashkë me babain. Ka qënë motra e 26-vjeçarit, e cila jeton në kryeqytet ajo që ka detyruar babain të denoncojë zhdukjen e djalit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Marjani”.

Operacioni, pas hetimeve intensive nga Sektori për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë.

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç.

Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit.

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, i cili rezultonte i larguar nga banesa, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Marjani”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:

– B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);

– V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;

– E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit M. Ç., kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.

Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën M. Ç., në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!