DASH: Shqipëria gjithnjë e më shumë vend tranzit për drogat e forta

schedule08:30 - 29 Mars, 2019

schedule 08:30 - 29 Mars, 2019

Shqipëria gjithnjë e më shumë mbetet një vend tranzit për drogat e forta, si dhe konsiderohet si burim për drogën e llojit kanabis. Është ky përfundimi i arritur nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2018.

Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se vendi ynë është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

“Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi”.

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve. Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri.

Në pjesën e raportit për pastrimin e parave, Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare.

Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Raporti vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, i kërkuar nga Kongresi dhe i ndarë në dy vëllime, vlerëson përpjekjet e qeverive të huaja për të reduktuar prodhimin, trafikimin dhe përdorimin ilegal të drogës, si dhe punën e tyre për të luftuar pastrimin e parave që lidhen me trafikimin e drogës. Raporti nisi të botohej në vitin 1986 dhe publikimi i tanishëm mbulon vitin kalendarik 2018./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!