Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua kanë bërë të qartë pritjet tona të dyja palëve. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i DASH-it.
Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.
“Ata që janë përgjegjës për sulmet e dhunshme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt ligjor dhe me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi i DASH-it.