DASH paralajmëron qytetarët amerikanë: Tregoni kujdes në veri të Kosovës

schedule14:50 - 14 Janar, 2018

schedule 14:50 - 14 Janar, 2018

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të kenë kujdes nëse do të vizitojnë Kosovën, pasi mund te ketë sulme terroriste. Uashingtoni nënvizon se pjesa më e rrezikuar është veriu i Kosovës.

Mediat kosovare shkruajnë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që planifikojnë të vizitojnë Kosovën, veçanërisht në pjesën veriore. Koha.net thekson se Ambasada Amerikane në Prishtinë kërkon nga qytetarët kujdes të shtuar për shkak të trazirave të mundshme, por edhe të sulmeve të mundshme terroriste.

“Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në mbarë Ballkanin, përfshirë edhe Kosovën. Terroristët munden që me paralajmërim të vogël apo pa asnjë paralajmërim, të sulmojnë lokacione turistësh, stacione autobusësh, tregje/qendra tregtare, ndërtesa të qeverisjes lokale, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive e kulturore, institucione edukative, aeroporte e hapësira tjera publike. Veç kësaj, në mbarë Kosovën ka dhunë të motivuar politikisht”, thuhet në paralajmërimin e DASH-it për qytetarët amerikanë që udhëtojnë për në Kosovë.

Megjithatë, DASH thotë se nëse qytetarët amerikanë vendosin të udhëtojnë në Kosovë, duhet t’i shmangin demonstratat, të jenë syçelë në vende që frekuentohen nga Perëndimorët, të monitorojnë mediat lokale për lajmet e fundit dhe t’i përshtatin planet e tyre bazuar në informacionet e reja.

Në këtë paralajmërim, DASH zbulon edhe pjesët që duhen shmangur. “Tensionet brenda dhe mes komuniteteve në veriun e Kosovës vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira tjera në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan. Ndonëse trazirat e fundit kanë qenë të ndërlidhura politikisht dhe nuk përfshijnë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar, kalimtarët e rastit mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme”, shprehet DASH.
Në njoftim po ashtu thuhet se Qeveria Amerikane ka mundësi të limituara për të ofruar shërbime emergjente në veri të Kosovës udhëtimet janë të kufizuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!