Darka e punës mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut grek Kyriakos Mitsotakis të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Athinë ka pasur kryefjalë marrëdhëniet dypalëshe si dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Zyra e shtypit të kryeministrit grek ka zbardhur detaje nga takimi, ku thuhet se është diskutuar për bashkëpunimin e dy vendeve brenda NATO-s, dhe për pakicat greke në Shqipëri, të cilat janë cilësuar nga palët si urë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Kryeministrat kanë folur për integrimin e shtetasve shqiptarë në Greqi, ndërsa theksi është vënë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Ata kanë rënë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin sa më shpejt çështjet e lëna pezull.
“Diskutim i veçantë u bë për Pakicën Kombëtare Greke në Shqipëri, e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Rama e Mitsotakis shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Në fund, ata ranë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në një kontekst dypalësh dhe të lëshojnë potencialin e madh që mund të krijojë marrëdhënia strategjike midis dy vendeve”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të qeverisë greke.
Por një çështje e pazgjidhur mes palëve është edhe çështja e detit që në njoftimin e zyrës së shtypit greke nuk përmendet. Kjo temë ka ndezur diskutimet në politikën shqiptare pasi opozita akuzon Ramën se ka bërë marrëveshje të fshehtë me palën greke për detin. Vetë Mitsotakis deklaroi se në takimin me kreun e qeverisë shqiptare do të diskutohej për zonat ekonomike ekskluzive.
Por me sa duket do të ketë tjetër takim mes palëve për t’i dhënë formë kësaj çështje. Rama tha publikisht pak ditë më parë, se do të ketë marrëveshje me grekët për detin, por u zotua se do të marrë më shumë se në vitin 2009./m.v. abcnews.al