Darka e fundvitit me trupin diplomatik/ Rama: Shqipëria nuk ka plan B, ka vetëm atë të anëtarësimit në BE

schedule18:35 - 24 Dhjetor, 2024

schedule 18:35 - 24 Dhjetor, 2024

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka vetëm një plan, anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik në Shqipëri, kreu i qeverisë u shpreh se pavarësisht se për kë do të votojnë shqiptarët, vendi do t’i qëndrojë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik.

“Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.

Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!