Në këtë mëngjes të ftohtë dimri, shkojmë në Dardhë, në fshatin e kulturës, traditës së druvarëve dhe karvaneve që shkonin deri në Bullgari. Tek Ilir Deli provojmë mjaltë dhe çaj. “Kush vjen e provon dhe kënaqet,” na thotë ai.
Në Dardhë gjen ende sobat amerikane prej çeliku të 1800-s. Gurbetçarët i sollën nga Amerika, “nuk sillnin makina atëherë, po soba”, siç na thotë Iliri. Dardharët ishin punëtorë dhe të fuqishëm, “dinin të mbanin shtëpinë.” Këtu gjen disa nga vilat më të bukura të viteve ’30. Me karvane prej 20-30 vetash, me mushka, të armatosur, niseshin drejt pyjeve dhe sharrat e dardharëve kishin teknikën më të mirë të kohës, aq të mirë sa mbeti shprehja “Ia pret me sopatën e dardharit”. Në fshat kishte familje të ardhura nga krahina e famshme e Sulit të Marko Bocarit, nga fshatrat e rrënuar në kohën e djegies së parë të Voskopojës.
Dardharët ishin të parët që provuan mërgimin nga vendi, me mjetet e punës, sopata dhe sharra. Shkuan e punuan në malet e Selitit e të Athosit, në Mesolongjo e Demir-Kapi, në Anadoll, në Ruse, në Isekum, në malet e Rodopit në Bullgari e deri në skelën e Varnës ku bënin tregtinë e qerestesë. Pas këtij emigrimi, dardharët “zbuluan” Amerikën dhe patën një rol të madh në shoqëritë patriotike.
Në Dardhë takojmë edhe një nuse dardhare që na thotë se këtu ka traditë dhe kulturë dhe njerëzit “e duan dhe e gëzojnë jetën”. Vallja dardhare është e veçantë, ka bukuri, delikatesë dhe feminilitet në hapat e grave dhe vajzave. Dardha ka kisha shumë të bukura, me afresket e pikturuara nga piktorët dardharë, ndër ta, i famshmi Zografi pikturoi falas kishat e Dardhës. Fshati nxori 25 piktorë shumë të njohur, përfshi motrat Zengo. Ushqimet e shijshme të Dardhës përfshijnë mishin e pjekur, lakrorin, turshitë dhe rakinë e zier dy herë. Anisa Pollo, që është kthyer pas 10 vjetësh në Dardhë, thotë se ishte “akoma më mirë sesa e priste,” “ngrohtë, oxhak”. Edhe një turist gjerman nga Dyseldorfi ka ardhur në Dardhë dhe i ka mbetur mendja te mishi i kecit, lakrori dhe rakia. Ilir Deli është i dashuruar me Dardhën. “Është nga zonat më të bukura në tërë Shqipërinë”, na thotë.
Është një zonë e njohur e skive në Shqipëri që nga vitet 1920./abcnews.al


