Danimarkë: Ligji për t’i tjetërsuar lagjet me migrantë konsiderohet racist

schedule09:17 - 6 Tetor, 2023

schedule 09:17 - 6 Tetor, 2023

Banorët e zemëruar të një lagjeje në Kopenhagë kanë thënë se do t’i rezistojnë ligjit danez që u mundëson autoriteteve t’i dëbojnë banorët nga zonat ku ato vlerësojnë se ka shumë migrantë.

“Ky është racizëm”, ka thënë Jawad, mjek prej lagjes Mjolnerparken në qendër të Kopenhagës, e cila është e rrethuar me zona tjera që janë duke u tjetërsuar.

“Ndonëse kam lindur dhe jam rritur në Danimarkë, në statistika unë jam migrant joperëndimor”, ka thënë ky 29-vjeçar për agjencinë e lajmeve AFP.

Danimarka e ka miratuar një ligj kontrovers më 2018 për t’i rizhvilluar disa “geto” të varfra, në të cilat ka koncentrim të madh të migrantëve.

Në plane përfshihet rindërtimi dhe renovimi i pronave dhe ndryshimi i mënyrës së qiradhënies.

Për disa dekada, Danimarka ka qenë një prej vendeve me politikat më strikte për migrantët në Evropë, dhe me raste, partitë e ekstremit të djathtë kanë folur edhe me tone kundër migrantëve.

Tetë në 10 persona në Mjolnerparken konsiderohen “joperëndimorë”, dhe personat nga vendet jashtë BE-së – prej Ballkanit dhe Evropës Lindore – hyjnë në atë kategori.

Banorët e lagjes Mjolnerparken kanë thënë se do ta padisin Danimarkën në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!