Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen që 40-vjeçari Ramazan (Dan) Hutra kreu ditën e djeshme në Kamzë, ku viktimë mbeti 31-vjeçarja Etleva Kurti, e motra e Vladimir Kurtit.
Gazetarja e Abc News, Gerta Vasku u shpreh se banorët e zonës dëgjuan tre krisma, teksa Etleva, në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë vetëm me të ëmëm.
Vëllezërit e tjerë të 31-vjeçares, ishin larguar nga zona për shkak të hasmërisë që Dan Hutra kishte me Vladimir Kurtin.
“31-vjeçarja jetonte vetëm me nënën e saj, sepse vëllezërit ishin larguar për shkak të hasmërisë. Ditën e djeshme, ajo ka qenë në banesë dhe 40-vjeçari ka hapur zjarr ndaj saj, duke i marrë jetën. Sipas fqinjëve, ditën e djeshme ata kanë dëgjuar 3 krisma dhe autori ka përshkruar rrugën “Besëlidhja” me automjetin që kishte marrë me qira”, raportoi gazetarja Vasku.
Hutra është edhe autori i vrasjes së dy grave në Paskuqan, po ditën e djeshme. Në momentin që Hutra është futur brenda në banesën e ish-bashëjetueses Elena Hysa, nuk ka biseduar me asnjë prej personave të familjes Hysa që ndodheshin aty.
Në banesë ndodheshin edhe 2 foshnja, fëmija 1 muajsh i Elena Hysës dhe autorit Dan Hutra, si dhe fëmija 6 muajsh i motrës së Elenës. Sipas deklarimeve, para se të niste të qëllonte me breshëri, Hutra ka çuar në banak fëmijën e Elenës dhe më pas ka nisur të qëllojë. Ndërsa kunata e Elenës, viktima Hasime Dafku ishte shtatzënë.