“Drejtësia, rol kyç për daljen nga lista gri”, Balluku: Institucionet e reja kanë ndihmuar procesin

schedule10:47 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 10:47 - 27 Dhjetor, 2023

TIRANË- Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se falë ndërveprimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria korri sukses duke dalë nga lista gri e pastrimit të parave.

Këto komente Balluku i bëri në mbledhjen vjetore të Komitetit Bashkërendues të luftës kundër pastrimit të parave.

Ajo shtoi se është e nevojshme hartimi i një strategjie kombëtare, me anë të së cilës të luftohet fenomeni i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizimit.

“Një angazhim efikas mes institucioneve tona. Dalja nga lista gri është një sukses. Duhet të rrisim kapacitete institucionale.  Synojmë, të biem dakord për nevojën e hartimit të strategjisë kombëtare për goditjen e pastrimit të parave”, tha Balluku.

Krahas ministrave dhe zyrtarëve të tjerë, në takim ishte prezent edhe kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, Altin Dumani.

Fjala e plotë:
Kjo është mbledhja e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave. Është mbledhja vjetore e këtij Komiteti me prezencë të plotë të të gjithë aktorëve nga çfarë shikoj këtu në tryezë. Ju faleminderit sepse si fund vitit e di që jeni të gjithë shumë të zënë.

Të nderuar anëtarë të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ju falënderoj për prezencën në këtë takim shumë të rëndësishëm koordinues që organizojmë çdo vit për të bërë një bilanc të arritjeve vjetore dhe planeve për vitin e ardhshëm sa i takon përpjekjeve të përbashkëta për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri.
Vitit 2023 ka qenë një vit padyshim i suksesshëm në vendin tonë në këtë drejtim, jo vetëm përsa i takon vlerësimit shumë pozitiv për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF, por edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të legjislacionit të Bashkimit Europian.

Më duhet të theksoj se ky moment pozitiv për Shqipërinë ka ardhur si rezultat i një pune shumë të madhe të të gjithëve ne, ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK, institucione të cilat kanë mbështetur punën e institucioneve tradicionale ligj zbatuese duke dhënë impaktin e daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF.

Ky takim i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është një angazhim i përbashkët për të vijuar luftën kundër krimit financiar në përgjithësi dhe në veçanti pastrimit të parave përmes hetimeve, dënimeve, sekuestrimeve dhe konfiskimeve.

Vitet e fundit e kam ndjekur nga afër progresin e Shqipërisë në kuadër të raportimeve të ICRG dhe FATF ku për shkak të gamës së gjerë dhe gjithëpërfshirëse të masave të kërkuara dhe të realizuara nga institucionet prezentë sot këtu në këtë tryezë është vrenjtur një angazhim dhe koordinim efikas mes institucioneve tona për një përfaqësim sa më të mirë në organizmat monitoruese ndërkombëtare.

Në takimin e daljes së vendit nga lista gri Shqipëria mori përgëzime të shumta nga përfaqësuesit e vendeve të tjera për progresin domethënës të vendit tonë, ndaj gjej rastin t’ju falënderoj të gjithë ju, secilin ekip që ka kontribuar në këtë punë të mirë dhe padyshim në përkushtimin dhe angazhimin profesional që keni treguar gjatë këtij procesi.
Gjej rastin të sjell në vëmendje edhe përkujdesjen e posaçme të Kryeministrit Rama dhe mbështetjen që i ka dhënë gjithë procesit duke vendosur në fokus realizmin e objektivave të kërkuara, proces ky që ka kërkuar angazhim financiar të konsiderueshëm të Qeverisë Shqiptare dhe kjo dëshmon përkushtimin dhe synimin tonë për konsolidimin e mëtejshëm të një shteti të sundimit të ligjit të barabartë për të gjithë.

Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje rritjes së kapaciteteve institucionale të çdo institucioni si dhe investimeve në sistemet e teknologjisë së informacionit me synim rritjen e efektivitetit të proceseve të punës në përgjigje të sfidave të reja të teknologjisë mbarë botërore. Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi midis institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i Qeverisë Shqiptare.

Të nderuar anëtarë të Komitetit, sot kemi në fokus të takimit disa çështje kryesore. Çështja e parë është miratimi i vlerësimit kombëtar të riskut dhe të planit të veprimit të tij. Dokumente këto shumë të rëndësishme, jo vetëm për përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare, por dhe për parashikim më të saktë të risqeve me të cilat do të përballemi, për të fokusuar aty më shumë burime që kemi në dispozicion. Ky vlerësim është realizuar pas një pune të gjatë të të gjithë institucioneve, duke përdorur metodologjinë e Këshillit të Europës, nën koordinimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Ndjekja e objektivave sipas planit të veprimit do të jetë me një rëndësi parësore për të gjithë ne.
Ju kujtoj këtu që gjatë këtij viti kemi pasur dhe një riorganizim të Drejtorisë të Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke kthyer atë në një agjenci të mirëfilltë e cila është mbështetur sigurisht nga Buxheti i Shtetit edhe me shtimin e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertëve, por, padyshim edhe atë të teknologjisë, duke e sjellë kështu në të njëjtin nivel me agjencitë e tjera të vendeve europiane të cilat janë mbështetëse të pandalshme të të gjithë këtij procesi.

Pika e dytë e rendit të ditës do të jetë miratimi i disa fushave ku duhet të përqendrohemi gjatë vitit 2024. Padyshim ky si një funksion dhe rrjedhojë e vlerësimit të radhës së Shqipërisë nga Manival i cili fillon në 2025, ashtu siç duhet çdo 8 vite. Për këtë qëllim është çmuar me vend që të bëhen vlerësime stimuluese të ngjashme me ato të manival për të gjitha fushat e efektivitetit. Si dhe rekomandime të posaçme teknike që mund të kenë ndryshuar vitet e fundit apo ku ne nuk jemi ende në nivelin e duhur.
Pika e tretë e rendit të ditës do të jetë rikonceptimi i grupit teknik ndërinstitucional të punës, duke e kthyer atë në një organizëm dinamik dhe proaktiv. Me takime të rregullta periodike, duke përfshirë dhe aktorët privatë rilevantë nga sektori financiar apo i atij profesioneve të lira siç janë bankat, noterët etj., qasje e cila sjell një koordinim më të mirë të masave të marra, si dhe përfaqësim si një strukturë e vetme dhe e koordinuar në vlerësimet ndërkombëtare.

Së fundmi synojmë, pra në pikën e katërt, gjatë diskutimit të sotëm, të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6 mujorit të parë të vitit 2024. Kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij Komiteti.

Duke ju falënderuar shumë të gjithëve për vëmendjen, siç thashë edhe për kohën tuaj sot në një ditë të mbylljes së vitit që padyshim të gjithë jeni të ngarkuar, unë do të desha që para se ti jap fjalën ta falënderoj z.Koçi për të gjithë punën me profesionalizëm të lartë dhe intensitet do të thoja. Desha ta falënderoja të gjithë ju për kontributin që keni dhënë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer pa u kursyer, gjë që ka sjellë edhe rezultate të prekshme tashmë./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!