Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani do të vendoset në qendër të vëmendjes më 17 maj, teksa ditën e djeshme janë publikuar dhe çmimet e biletave, për ndeshjen që do të vendosë se kush ekip do të shpallet kampion i Superiores këtë sezon.
Çmimet e tribunës qëndrore do të variojnë nga 4000 deri në 6000 lekë, tribuna përballë nga 1000 deri në 1500 lekë, ndërsa në tribunat anësore është vendosur një çmim modest prej 500 lekësh.
Përsa i përket biletave të tifogrupeve, “Tirona Fanatics” dhe “Ultras Guerrils”, biletat i janë dhënë dy tifozerive përkatëse, të cilat do të merren vetë me shpërndarjen e tyre tek tifozët që do të jenë të pranishëm.
Ndërkaq, kujtojmë se derbi që do të luhet të mërkurën e ardhsme do të jetë derbi i 170-të që “bardheblutë” dhe “demat” do të zhvillojnë mes tyre. /i.m /abcnews.al