Ishte më i miri në fushë. Kaq fjalë mjaftojnë për të kuptuar nivelin e paraqitjes së Mirlind Dakut në Superligën e Rusisë, me “Legjionarin” e Kombëtares, që shënoi për të dytën javë radhazi në elitën ruse, edhe pse skuadra e tij nuk fitoi, teksa përtej rrjetës, “ylli” i Rubin Kazan kontribuoi në çdo sulm të skuadrës së tij, në barazimin 1 me 1, të siguruar ndaj skuadrës së Ural.
E tillë performancë i siguroi Dakut çmimin personal, të lojtarit më të mirë të ndeshjes, teksa nga specialistët e kësaj fushe u vlerësua me notën lartësuese, 7.9. Mëkat që Ural barazoi në fund, por kjo nuk ia ul vlerën Dakut, i cili u lavdërua jashtë mase nga trajneri Rashid Rahimov, i cili i dërgoi edhe një “sinjal” teknikut Sylvinho.
“Ai është në formën më të mirë. Ç’mund të them tjetër. Unë e shoh sesa është I përqëndruar, sesi punon. Ai po bëhet gati për në Evropian”, – u shpreh tekniku rus për “bomberin” shqiptar, i cili deri më tani ka regjistruar 7 gola e 4 asistime, në Superligën e Rusisë, duke qenë padyshimi futbollisti më i mirë në skuadrën e tij, teksa prej kohësh tashmë po jep maksimumin e tij, që të sigurojë një vend mes të grumbulluarve, për fazën finale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024. /i.m /abcnews.al