E tillë është jeta. I tillë futbolli.
Mirlind Daku tregoi këmbën e dëmtuar dhe me akull, I filmuar nga kamera e klubit në dhomën e zhveshjes pas fitores.
Sulmuesi kuqezi qetësoi trajnerin e tij Rahimov me fjalët “nuk ka asgjë”, pa mundur të ngrihej për t’i dhënë dorën, dhe sërish ulur, mori trofeun e Lojtarit të Ndeshjes.
Më në fund, doli dielli për yllin e kombëtares shqiptare.
Daku shënoi golin e suksesit minimal 1-0 që Rubin arriti ndaj rivalit nga Grozni, Ahmat, në Premier Ligën e Rusisë.
Pra, një ekip nga Tatarstani mundi ekipin nga Çeçenia në kampionatin rus.
Goli ishte mjaft I bukur, festimi disi I egër, tipik I tij, dhe logjikshëm pasoi kartoni I verdhë.
Shqiptari nga Kosova prishi agjërimin, pasi dërgoi topin në rrjetë për herë të parë që nga 20 shtatori, në barazimin 2-2 në fushën e Akronit të qytetit Toliati.
Plot 64 ditë dhe 6 ndeshje pa realizuar.
Gjithsesi Daku është hero tek Rubini, në çdo ndeshje titullar, dhe 99 për qind të minutave I ka kaluar në fushë.
Nuk ka dëmtime, nuk ka lodhje, nuk ka sëmundje që e ndal.
Në 16 ndeshje në kampionat ka 9 gola dhe një asist, dhe është sërish kandidat I fortë për Këpucën e Artë, pasi ai që kryeson renditjen e shënuesve ka vetëm një rrjetë më shumë se ai.
Jo më kot është ndër të paktët lojtarë të kombëtares që kartoni I vlen me 7 shifra, 10 milionë euro.
Rubini, ndërkaq, është mbi mesin e renditjes, I sigurt për mbijetesën, por ende larg objektivit për të shkuar në kupat e Europës.

