Obeziteti karakterizohet nga shtimi i tepërt i masës dhjamore me pasoja në shëndetin e një individi. Albana Daka, mjekja në “Spitalin Amerikan” dha më shumë informacion për atë që quajtur si “sëmundja e shekullit”. Për moderatorin Alban Musa, mjekja shpjegoi se obeziteti është një indicie për shumë sëmundje të tjera si diabeti, problemet me tensionin, zemrën dhe sëmundjet malinje.
Sipas saj, rreziku për zhvillimin e këtyre sëmundjeve është më i lartë tek personat mbipeshë dhe obezë. Përveç regjimit ushqimor, dhe aktiviteti fizik është një faktor kyç për parandalimin e komplikacioneve. “Rekomandohet aktiviteti fizik rutinë që shkon nga 90 minuta në javë deri në 2-3 orë në varësi të gradës së obezitetit. Aktivitet fizik në natyrë i kombinuar me një regjim ushqimor të shëndetshëm, me perime fruta drithërat e plota, produktet e bulmetra të integruara herë pas herë është regjimi ushqimor ideal.“, shpjegoi Daka.
“Numri i hapave varet nga regjimi që konsumojmë, kalorazhi ditor që marrim dhe nga ajo që harxhojmë. Kemi persona që për shkak të obezitetit të shtuar ia bllokojmë disa kohë aktivitetin fizik sepse duke patur një peshë të madhe dhe duke bërë aktivitet ushtrohet një presion i madh mbi kyçet e gjunjëve dhe të kaviljes duke çuar në destruksionin e artikulacioneve. Aktiviteti fizik ideal që i rekomandojmë është noti ku vihen në lëvizje të gjitha muskujt e trupit por nuk ushtrohet presion tek artikulacionet.“, tha Daka.
/abcnews.al