Skënderbeu marshon dhe renditet në vendin e tretë, çka e kënaq trajnerin Ilir Daja. Pas ndeshjes me Flamurtarin, që u vendos nga Gripshi, tekniku kryeqytetas foli në lidhje me ndeshjen dhe tema të tjera në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
EUROPA LEAGUE – “Shpresojmë të marrim një vendim pozitiv nga Gjykata Federale e Zvicrës. Më shpresën për këtë vendim duhet të vazhdojmë të motivohemi, për të përfaqësuar një qytet të mrekullueshëm që i ka dhënë tonin futbollin shqiptar”.
ECURIA – “Ky është një element që tregon mentalitetin fitues të ekipit. Janë dy fitore në transfertë, vazhdojmë serinë e fitoreve. Lojtarët më me eksperiencë janë suport i rëndësishëm për motivimin e ekipit, kjo na e lehtëson punën si staf, ja u lamë atyre sot ta drejtonin motivimin e grupit nga brenda”.
SULMI – “Do kemi këtë lloj oshilacioni. Shkonim deri në zonat e rrezikshme të Flamurtarit me qarkullim dhe volum, por aty nuk kishim marshin e duhur. Ritmi nuk ishte në këmbët e sulmuesve tanë. Me befasi dhe një marsh më tePër, mund të shënonim dhe t’i jepnim qetësi ekipit. Gjithsesi, shënoi Gripshi, një tjetër sulmues i joni, por nuk jam i kënaqur me fazën sulmuese sot”.
FLAMURTARI – “Sigurisht që keqardhja është në të dy drejtimet. Vlora është një qytet me tradita në futboll, meriton ta përfaqësojnë denjësisht atë fanellë të rëndë. Edhe në planin personal ndjej keqardhje, vjet drejtova Flamurtarin. Kjo zbritje zyrtare sot e Flamurtarit, është dyfish me keqardhje nga ana ime”. /abcnews.al