Daja: Specialistët i “harrojnë” statistikat tona, në Laç na mungon një gol i rregullt

schedule09:58 - 2 Maj, 2021

schedule 09:58 - 2 Maj, 2021

Nesër Partizani luan finalen e radhës për qëllimin e madh të fitimit të titullit. Të kuqtë sfidojnë në “Elbasan Arena” Apoloninë, tashmë thuajse pa shpresa për qëndrimin në Superiore.

Gjithsesi, trajneri i të kuqve, Ilir Daja, e merr seriozisht ndeshjen e nesërme dhe vlerëson kundërshtarin, që në betejën e fundit mes dy skuadrave, “rrëmbeu” një barazim.

“Atmosfera ka qenë e mirë sepse në ndeshjen e fundi kemi bërë një paraqitje shumë të mirë, duke llogaritur një gol të mohuar dhe një penallti të pa dhënë në minutën e 94-t. Duke parë në vazhdimësi ndeshjen, kemi bërë gjithçka mirë për ta fituar atë sfidë.

Nuk kemi probleme me dëmtimet, Albani (Hoxha) është kthyer këtë javë dhe është stërvitur bashkë me portierët e tjerë nën drejtimin e Ilir Bozhiqit, kështu që nesër jemi gati dhe me kontigjent të plotë për ndeshjen me Apoloninë.

Gjërat ndryshojnë si për ne, si për ata. Janë dy raste të përsëritura sepse kemi barazuar në Fier dhe atje na është mohuar një gol i rregullt, sipas specialistëve të moviolës dhe pamjeve filmike. Nesër nuk nisemi nga fakti që Apolonia na ka marrë pikë në ndeshjen e fundit.

Do e vlerësojmë kundërshtarin në maksimum, do vazhdojmë ecurinë pozitive si me lojëra, edhe me rezultat sepse tani nuk lejohet asnjë gabim. Kemi qenë ekipi që ka shënuar më shumë, megjithëse këtë fakt shumë specialistë në Shqipëri nuk e citojnë këtë.

Ajo që ka ndryshuar është fakti që më parë kemi shpërndarë golat edhe me repartin e mesfushës apo në goditjet standarde me mbrojtësit si Bitri dhe Belica. Në katër javët e fundit, me rikthimin e Junior pas dëmtimit dhe infektimit, kemi bërë të mundur që treshja e sulmit të shfaqet më shumë para portës dhe gëzohemi që të tre kanë shënuar rregullisht.

Në tre ndeshjet e fundit kemi mesatare me tre gola për ndeshje dhe pjesa më e madhe është shënuar nga sulmuesit tanë, që posedojnë cilësi të mëdha. Ëilliam Cordeiro Melo? Si trajner i Partizanit, më duhet të përshëndes kontributin që ka dhënë në këtë vit, kur unë kam qenë në drejtim.

Ka pasur probleme edhe me dëmtimet sepse e ka nisur fazën përgatitore i ndarë nga grupi. Është rikthyer, ka bërë shumë mirë dhe ka dhënë kontributin e tij që Partizani të mbajë pozicionet e sipërme të renditjes, por sigurisht çdo lojtar i Partizanit duhet të pranojë edhe vendimin e stafit sepse nuk pritet që çdo lojtar ta ketë të garantuar vendin në formacion.

Kjo ndoshta ka sjellë largimin e parakohshëm të tij me klubin sepse ishte vendimi i tij për t’u larguar dhe klubi u dakordësua me vendimin e tij. E kemi ndeshjen në të njëjtin orar me Vllaznia-Teuta dhe nuk e mendojmë këtë sfidë. Duke qenë se ne duam që futbolli të jetë korrekt dhe të fitojë më i miri, edhe unë do qëndroj në të njëjtën linjë.

Duam që te kundërshtarët tanë të fitojë ai që punon më shumë dhe e meriton dhe të mos i mohohen, ashtu siç na janë mohuar edhe ne disa pikë gjatë gjithë zhvillimit të kampionatit. Dje kemi pasur një bisedë pas analizës së ndeshjes së fundit në Laç.

Kemi thënë se nuk duhet të krijojmë alibi, pavarësisht se është fakt që golat kanë qenë të rregullt. Nëse do tërhiqem do i bënim dëm vetëm sakrificave tona gjatë gjithë këtij edicioni. Të shtojmë përqendrimin dhe frymën e ekipit, që të pozicionohemi atje ku dëshirojmë të gjithë”, u shpreh Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!