Partizani zhvilloi një ndeshje të mirë, krijoi disa raste për gol, por nuk ia doli të marrë maksimumin në Korçë. Skënderbeu e frenoi në një barazim 1-1, që i kushtoi kreun e renditjes. Në vend të parë është ngjitur Teuta, ndërsa trajneri Ilir Daja analizoi për Supersport barazimin jashtë fushe.
“Shkaktuam një faull të panevojshëm, mbaroi loja barazim me një goditje dënimi. Na vjen keq. Në pjesën e dytë mund të bënim diçka më shumë. Prishëm manovrën tonë, futëm gjithë sulmuesit në lojë, por ky është futbolli. Mund të goditesh nga një episod në një ndeshje që e luajtëm në gjysmëfushën e kundërshtarit.
Sigurisht që të marrësh një gol në atë mënyrë dhe të kesh një kundërshtar që luan pas me gjithë forcat mbrapa, është e vështirë të dalësh te goli. Patëm shanse edhe në pjesën e dytë. Ishte një dypikësh i humbur, më shumë për fajet tona sesa meritat e kundërshtarit.
Mendja te derbi? Nuk kishte asnjë lloj ruajtje. Sigurisht që nuk mund të marrësh karton të verdhë kur luan gjithë kohën në sulm. Është e pafalshme të ndëshkohesh me faulle në sulm. Nuk mendoj se lojtarët e kishin mendjen te derbi, tre pikë kishte edhe ndeshja e sotme.
Acaroheshim me vonesat e shumta të kundërshtarit në pjesën e dytë, kjo është ajo që nuk bëmë mirë. Duhet të ruanim qetësinë. Topin e poseduam ne, patëm shumë raste, prandaj edhe nuk kanë qenë prezent kartonët sot. Askush nuk e kishte mendjen te derbi.
Një trajner nuk mund të citojë emrat e lojtarëve të vet. Problemi i manovrës ishte humbja e qetësisë, që erdhi falë golit të pësuar. Ne e ndërtojmë manovrën nga mbrojtja, aty u krijuan probleme. U duk sikur kaluam në nervozizëm, por nervozizmi ishte në katërshen e mbrojtjes, pasi aty e nisim ndërtimin e lojës nga poshtë.
Çinari? Në ndërrimin e fundit ndërruam një mbrojtjes, pasi kishim nevojë për sa më shumë sulmues. Pati një rënie të Çinarit, por ai na duhej në çdo moment te zona e golit. Luajtëm me 5 lojtarë në zonën e golit. Çinari kaloi në qendrën e sulmit në mesin e dytë të pjesës së dytë. Kishim ardhur për tre pikët, rrezikuam gjithçka, por nuk kishim potencial tjetër për ta përdorur në sulm“, përfundoi Daja. /abcnews.al