Daja: Respekt Laçit, por Partizani do fitore! Mungesa e Asanit na prish punë

schedule15:40 - 26 Shkurt, 2021

schedule 15:40 - 26 Shkurt, 2021

Ilir Daja, trajneri i Partizanit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Laccin. Kurbinasit kanë fituar pesë ndeshjet e fundit dhe normalisht në kampin e kuq e vlerësojnë maksimalisht. Dajën ndërkohë e shqetësojnë mungesat, që janë jo pak në këtë ndeshje të vështirë. Gjithsesi objekti është i qartë: tre pikët.

-Shorti iu vuri përballë Laçit në Kupë, sikurse edhe kampionati. Sa gjëra ndahen me këtë sfidë?
-Le t’i marrim me radhë, më e rëndësishme është kjo e kampionatit. Atë të kupës do e trajtojmë më vonë, në momentin e duhur. Është një sfidë e vështirë, pasi edhe Laçi vjen me ndeshje radhazi të fituara, sikurse edhe ne. Janë dy ekipe që edhe në klasifikim janë për momentin rivalë.

Besoj që, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e tjera, pavarësisht se koeficienti i vështirësisë është ndoshta edhe më i madh, ne do futemi në fushë duke e respektuar Laçin për çfarë ka bërë në këtë periudhë të kampionatit. Në fushë futemi për të fituar ndeshjen, por duhet trajtohet në disa elemente ndryshe.

 

-Ndoshta kjo është sfida e skuadrave të momentit, ju vini nga rezultate pozitive dhe Laçi ka thyer gjithë rivalët direkt…
-Është e vërtetë, prandaj edhe koeficienti i vështirësisë është edhe më i madh. Të dyja skuadrat në aspektin psikologjik janë goxha mirë, entuziazmi është edhe në kampion tonë, por edhe Laçi ka një entuziazëm që ia jep momenti i mirë që po kalon.

Kemi probleme të dyja ekipet, por mua më shqetëson Partizani.  Nuk e kemi komplet grupin, jo vetëm për formacionin, por edhe për ndërrimet që mund të na bënin diferencën më pas. Do duhet ta menaxhojmë në një formë tjetër.

-Nuk do të jetë Stenio Junior. Sa punë prish dhe kur mund të jetë gati Asani?
-Përveç Junior është edhe Murataj. Është edhe Asani që pardje, bashkë me një lojtar tjetër të cilin nuk po e prezantoj, pasi nuk e dimë nëse do të jetë i mundur për të startuar ndeshjen. Bëhen 3-4 mungesa goxha të rëndësishme. Por kemi një kontingjent që nuk i ndjejmë shumë mungesat. Në vazhdimësi mund të kemi probleme, pasi do të përshtatim lojtarë, nëse do të na duhet, në rolet e tyre jo natyrale.

 

-Deri tani nuk keni eksperimentuar ndryshime në modulin e lojës. Ndaj Laçit do të jetë njësoj?
-Moduli i lojës është i njëjtë, por me kundërshtarë të ndryshëm ne kemi përdorur manovra të ndryshme. Ajo që është më e rëndësishme është manovra sesa vendosja e lojtarëve në fushë. Mund të luash me një sulmues fals dhe mund të sulmosh me 5-6 në zonën e golit, ose mund të luash me tre sulmues dhe shkon me një ose me dy te zona e golit.

Pra, më e rëndësishme është manovra. Sigurisht që kemi pasur kohë ta punojmë ndeshjen, por ajo që na ka nxjerrë probleme në 2-3 ditët e fundit, është mungesa e shtuar e Asanit dhe ndonjë lojtari tjetër. Shpresojmë që me kontingjentin që kemi, ta përballojmë këtë ndeshje me vështirësi goxha të lartë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!