Daja: Prishëm gjithçka kishim ndërtuar, ju tregoj ku vuajti Partizani im

schedule18:34 - 7 Mars, 2021

schedule 18:34 - 7 Mars, 2021

Partizani pësoi humbjen e parë për këtë vit dhe sigurisht trajneri Ilir Daja nuk ndjehet mirë. Dy hapa falas të skuadrës së tij, që sot i mposhti Skënderbeu. Tekniku kryeqytetas, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi:

“Është një mbrëmje jo, kemi prishur në këto dy ndeshje ato që kishim ndërtuar. Nuk mund të them se faji është vetëm i lojtarëve, marrim përgjegjësi edhe ne si staf. Ishim larg pritshmërive sonte. Duhet të reflektojmë, pasi në këto dy ndeshjet e fundit kemi bërë një hap goxha mbrapa”.

“Kjo ndeshje nuk ngjan me atë kundër Apoloninë, pasi bëmë gjithçka të shënonim. Skënderbeu na priste dhe duhet të ishim më të qetë, që të mos na kapnin në kundërsulm siç bënë pjesën e parë. Pastaj nga dëshira për të fituar prishëm ekuilibrat dhe u gjendëm disa herë të çekuilibruar”.

“Mesfusha? Broja dhe Murataj vinin nga një periudhë me stërvitje të diferencuar. Donim të bënim diçka më të mirë, por nuk rezultoi lëvizja e duhur. Në momentet e kundërsulmeve niseshin nga qendra e mesfushës, ku edhe ishte problemi ynë kryesor. Vinim nga një periudhë jo me kondicionin e duhur për t’iu përshtatur manovrës. Nga dëshira e madhe gaboi edhe mesi i fushës. Aty niste sulmet e shpejta kundërshtari”.

“Nëse shënonim në 15 minutat e para, natyrshëm do kishim tjetër mënyrë loje. Me ekipe që mbrohen mirë duhet që të jesh i qetë. Nuk zgjidhet çdo gjë me ritëm të shpejtë dhe duke lënë hapësira pas. Na kapën nga krahu i djathtë, ku kishim tre nga lojtarët më të mirë, si Mala, Asani dhe Murataj. Në pjesën e parë aty morëm të gjitha aksionet e kundërsulmit të kundërshtarit”.

“Nuk e kishim marrë lehtë ndeshjen, pasi kishim barazuar në Fier. Vetëm Mala ishte jashtë pozicioni, Broja ishte në qendër të mesfushës si zakonisht. Duhej rrjedhshmëri në krahun e djathtë tonin. Murataj spostohej jo kur duhej, si dhe humbeshin topa në atë krah”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!