Ilir Daja, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes me Kastriotin, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas goli” në Supersport tha: “ E nisëm jo mirë ndeshjen. I ndërtuam keq aksionet. Kishim shanset tona për të shënuar dhe mund t’i jepnim lojës drejtimin e duhur. E dhuruam golin, duke pasuar gabim në mesfushë.
Pjesën e dytë bëmë gjithçka mirë, barazuam, kontrolluam lojën dhe në momentin më të mirë e pësuam. Me një kundërsulm morëm një gol, që të vjen keq. Duhet të jemi më cinikë, sidomos tani në fillim të kampionatit”.
“Kemi vetëm katër mbrojtës, pjesa tjetër janë lojtarë të përshtatur dhe të rinj. Në fillim të kampionatit nuk doja t’i ngarkoja emocionalisht. Kjo u pa edhe te lojtarët me eksperiencë, jo më tek të rinjtë”, tha Daja.
“Strategjia ishte të ndërhynim në merkato dhe e kishim gati listën. Nuk ishte në dorën time. E gjeta me merkato të mbyllur. Do vazhdoj me këto që kemi. E dimë se kemi shumë mangësi, sidomos te numri i lojtarëve mbrojtës”.
“Nuk kam dëshirë që ekipi të reagojë, pasi pëson gol. Lëvizëm më shumë dhe kishim dëshirë, por jo manovër të kristalizuar. Lojtarët me eksperiencë deri në momentin e fundit reaguan dhe kjo më kënaq. Isha i kënaqur me reagimin, nga një pjesë e parë jo e mirë te një pjesë e dytë ku dominuam. Normalisht kjo nuk mjafton te Partizani”. /abcnews.al