Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, i gëzohet fitores dhe shënimit të golave nga Bajram Jashanica dhe Alfred Mensah. Për Supersport, pas ndeshjes ai deklaron: “Na vjen mirë që Jashanica shënoi në ndeshjen e dytë. Luajti mirë. Kjo e rrit në anën morale. Na vjen mirë edhe për Mensah. Është i ri dhe me të ardhme. U zhbllokua sot dhe realizoi me meritë. Edhe Dita i dha një pasim të saktë në shtyllën e dytë”.
Loja nuk ishte fort e mirë me Luftëtarin dhe Daja shton: “Kishim tentuar të ulnim ekipin me këmbë në tokë. Çdo ndeshje vlen tre pikë. Kemi automatizuar veprimet tona. Normal nuk luajmë dot çdo ndeshje në maksimum. Pozitive është që po fitojmë dhe grupi është kthyer i gjithi. Bëmë rotacion, mund ta bëjmë edhe me Kukësin”.
“Europa? I bëj thirrje tifozë të na mbështesin. Kemi nevojë për ta, do jetë motivim plus. Do shohim rrugën tonë dhe pastaj do shohim rivalët”, përfundoi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. /abcnews.al