Skënderbeu e rinis kampionatin në Korçë kundër Partizanit. Trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja ka prekur disa tema në konferencën për shtyp. Grupi është i plotë, merkato ka sjellë vetëm Imamin deri tani, pavarësisht se Daja pret të tjerë lojtarë.
Rivali është i fortë, sidomos me ndryshimet në pankinë, por Skënderbeu do të futet në fushë për fitore. Daja ndalet edhe te ndonjë largim i mundshëm, por deri tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë temë.
SITUATA – “Kryesor është fakti që në këtë periudhë të gjysmës së dytë të kampionatit e kemi pothuajse gjithë grupin në dispozicion, përveç Pëllumbit që vuan një dëmtim nga viti i kaluar. Kemi mungesën e Dajës në ndeshjen e parë”.
MERKATO – “Do flas vetëm për afrimet zyrtare. Imami është një lojtar me eksperiencë, pavarësisht se do të na duhet ta përdorim jo në pozicionin e tij që ka luajtur në vitet e fundit. Nuk mund të themi asgjë për afrimet e tjera, përderisa nuk janë bërë zyrtare”.
PARTIZANI – “Nesër kemi një ndeshje të vështirë kundrejt Partizanit, ekipit kampion në fuqi dhe një prej pretendentëve për titull. Është një ndeshje shumë e vështirë. Vështirësia qëndron edhe në faktin që kanë një staf të ri, që nuk është prezantuar bashkë me ekipin në asnjë ndeshje zyrtare. Do na duhet të marrim informacion nëpërmjet lojës”.
OBJEKTIVI – “Gjithsesi, edhe ne nga krahu jonë, në ndeshje të tilla, ashtu siç kemi bërë në gjysmën e parë të kampionatit, në ndeshje me ekipe të forta, ekipe pretendente, kemi qenë gjithmonë me motivim maksimal. Besoj se do të djersijmë shumë. Do e kemi shumë të vështirë, por që do pretendojmë të marrim trepikëshin, edhe pse përballë kemi një ekip shumë të fortë”.
LARGIMET – “Deri në këto momente nuk kemi merkato në dalje. Nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga klubi. Besoj se nuk do të ketë rrjedhje lojtarësh në këtë 10 ditësh të fundit të merkatos”. /abcnews.al