Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është një ndër më të mirët në Shqipëri dhe futbolli që skuadra e tij zhvilloi sot, ishte për t’u admiruar. “Ujqërit” mposhtën Partizanin në kryeqytet, me rezultatin 1-2 dhe pas ndeshjes, Daja foli për Supersport, aty ku u shpreh: Rifillimi është më i vështirë se fillimi nga e para, sepse duhet të prezantohesh në atë nivel që e ke ndërprerë.
Kjo ishte më e mira, sepse vazhduam serinë e fitoreve, kundrejt Partizanit, ekipit në fuqi, që ka potencialin dhe lufton për vendet e sipërme. Kjo fitore na jep shpresë për vazhdimësinë, ashtu siç e kishim nisur këtë pjesë të dytë të kampionatit.
Përveç efektit që vazhdoi seria e fitoreve, nuk mund të them se skuadra është më e mira seç ka qenë. Më gëzon fakti që ekipi ka një shpirt skuadre që sakrifikon për njëri-tjetrin.
Kjo është arma jonë e fortë dhe sot u pa. Megjithëse lojtarët ishin të kontraktuar, vazhduan për të qenë deri në fund pjesë e fitores. Dua të fitoj çdo ndeshje, qoftë me Partizanin apo dhe ekipet e tjera. Kur fitohet me ekipe me potencial dhe traditë të tillë, kënaqësia është më e madhe.
Fitoret më shijojnë si ditën e parë kur kam fitoruar. Edhe fitoren ndaj Flamurtarit në ndeshjen e radhës do ta shijoja me të njëjtin kënaqësi. Gjyqi? Nuk kam informacion të saktë. Është studio ligjore që e ndjek këtë proces, me shpresën që të jetë një vendim pozitiv. Jo vetëm për Skënderbeun, por për të gjithë futbollin shqiptar.
Nuk kam pikësynim të drejtoj ekipet Kombëtare të moshave, se kthehem 20 vite mbrapa, sepse i kam drejtuar në vitet 2000. Jo vetëm unë, por çdo koleg është i aftë që pavarësisht kushteve, kemi potencialin e duhur, që këtë lojë kaq të bukur ta zhvillojmë.
Secili trajner ka manovrën e vetë për të dalë drejt fitores. Edhe Partizani pati shanset e veta në fillim ku mund të na godiste. Pjesa e fitores shkon e gjitha për ekipin, fryma e grupit tek ekipi jonë është në nivelin e duhur. Kur kemi një frymë grupi, gjithmonë arrihet te fitorja”, u shpreh Daja./abcnews.al