Partizani fitoi 1-2 kundër Kukësit sot, një fitore që afron me 4 pikë “Demat” me Vllazninë kryesuese. Trajneri Ilir Daja foli pas ndeshjes për Supersport, aty ku zbuloi edhe shkakun pse Partizani vendosi t’i dhuronte golin ekipit kundërshtar.
“Lejuam golin e Kukësit në respekt të lojës korrekte dhe të ‘fair-play’, për asgjë tjetër. Nuk ishte gabimi i Muratajt që shkoi drejt golit, vendimi nuk ishte aq shpejt. I thamë lojtarëve tanë që në respekt të linim golin, për të respektuar ‘fair-play’.
https://streamable.com/hr418r
Ishte fitore e merituar. E nisëm mirë pjesën e parë, më pas iniciativën e mori Kukësi. Në pjesën e dytë e mbajtëm Kukësin në gjysmëfushën e vet, mund të shënonim më shpejt golin e dytë nëse lojtarët do të ishin treguar më altruistë. E bëmë atë veprim në respekt të futbollit dhe të kundërshtarit, loja ishte ‘fair-play’ deri në ato momente.
U respektua ‘fair-play’, për këtë duhet të na përgëzoni. Mund të kishte zgjidhje të tjera. Vendimin e morëm në mënyrë kolegjiale. Përballë kishim një ekip si Kukësi, që ka lojtarë cilësorë me goxha eksperiencë dhe me cilësi individuale. Kukësi është nisur për objektiva madhore.
Gjatë kësaj jave nuk kemi punuar në aspektin taktik. Sot iu kam thënë lojtarëve: luani për vetën tuaj. Kjo javë ka qenë pa orientime taktike, ndoshta prandaj u krijuan disa probleme, si në presing apo tranzicionin negativ. Në pushimin e ndeshjes kemi bërë diçka që unë nuk mund ta them, se dua ta përdor edhe në ndeshjet e tjera. Nuk e them dot se çfarë iu kërkova lojtarëve.
Titulli? Ne kemi ngushtuar diferencën me Vllazninë, por tani duhet të jemi akoma më shumë me këmbë në tokë. Kampionati është i gjatë, na duhet të jemi dhe akoma më të përqendruar. Kukësi dhe Tirana kanë bërë një hap mbrapa, katër ekipet e tjera janë për titull“, përfundoi Daja. /abcnews.al