Partizani sfidon nesër në “Elbasan Arena” Skënderbeun e vendit të fundit. Të kuqtë vijnë nga dy barazime në ndeshjet e fundit dhe fitorja nesër është shumë e rëndësishme. Para kësaj sfide në konferencë për mediet foli trajneri i të kuqve, Ilir Daja.
“Pothuajse e kemi gjithë skuadrën në dispozicion përveç Hasanit dhe Junior, që nuk do jenë nesër. Rikthehet Broja dhe Murataj, që kanë munguar në ndeshjet e fundit. Nuk kemi problem edhe pas barazimit sepse gjithë ndeshjen ekipi tregoi se e donte fitoren e ndeshjes dhe lojtarët kanë mentalitetin e duhur për të fituar ndeshjen.
Nesër nuk do shkojmë me mendimin se Skënderbeu është i fundit në renditje sepse ata, megjithëse janë në fund, në ndeshje të ndryshme janë shfaqur shumë mirë. Duhet të rikuperojmë pas këtyre barazimeve. Lojtarët janë të motivuar maksimalisht. Futbolli i ka të gjitha rezultatet brenda. Nesër me Skënderbeun do jemi të motivuar dhe do e marrim me seriozitet maksimal.
Ekipet kanë marrë marrë atë që kanë merituar në fushën e lojës, përveç disa gjërave të vogla, që ndoshta s’duhet të merremi. Besoj se jo vetëm katërshja e parë në renditje do luftojë për titull, por edhe ekipet në vendin e 5-të dhe 6-të sepse janë shumë pikë deri në fund.
Ekipi me më shumë stabilitet në lojë do të jetë favoriti për të triumfuar në fund. Kemi objektivat tona, kemi ecur shumë mirë. Presim Hasanin dhe Junior, që do na ndihmojnë shumë në vazhdimësi. Kemi të gjitha mundësitë të bëjmë mirë, por në fund fare fusha e lojës tregon sesa të zotë jemi”, u shpreh Daja. /abcnews.al