Partizani mori tre pikët e para në Superiore për këtë sezon pasi mposhti 0-2 një rival të fortë si Kukësi. Lucas dhe Solomon shënuan në pjesën e dytë, duke i dhuruar tre pikë fantastike “Demave të Kuq”.
Trajneri i ekipit kryeqytetas, Ilir Daja foli pas takimit për Supersport, aty ku analizoi ndeshjen ndaj verilindorëve dhe situatën e skuadrës së tij.
“E nisëm keq në 30 minuta e para dhe me këtë mënyrë loje nuk kemi gjë në vijë. Më pëlqen që ekipi reagon, por ende kemi dobësi në manovër. Sulmi kishte mbështetje dhe e kam thënë që duhet të sakrifikojmë. Më shqetëson organizimi i lojës nga poshtë. Do mundohemi ta rregullojmë këtë problem”.
“Nëse nuk do të fitonim, do isha ai që mendoni ju. Tre pikët na japin qetësi, por nuk kemi bërë gjithçka mirë. Kemi shumë për të përmirësuar. Direkt do analizojmë ndeshjen dhe problemet që kishim”, tha Daja fillimisht.
“Partizani ka Dajën? Sigurisht fokusi është tek unë, pasi kishim merkaton e bllokuar. Nëse do kishim patur, vëmendja shpërndahej. Janë lojtarët që luajnë, ne bëjmë maksimumin që të marrim më të mirën prej tyre. Nuk mendojmë për janarin tani, bëjmë gabimin më të madh nëse e bëjmë.
Këta do luajnë deri atëherë. Në janar nuk do të largojmë lojtarë. Do të thosha që do mundohemi të përforcohemi, por duke e mbajtur grupin. Deri në fund të këtij duhet ta mendojmë se nuk mund të hapet merkato. E menduam edhe më parë se do hapej, por nuk ndodhi“, deklaroi Ilir Daja. /abcnews.al