Daja: Duhet “uri” kundër Apolonisë! Derbi? Nuk mendoj as për Skënderbeun

schedule10:18 - 24 Nëntor, 2020

schedule 10:18 - 24 Nëntor, 2020

Ilir Daja, trajneri i Partizanit, doli para mediave ditën e sotme dhe foli për situatën në skuadrën e tij dhe ndeshjen e radhës kundër Apolonisë, Sigurisht u ngacmua edhe për derbin që është në prag, por tekniku kryeqytetas i ka idetë e qarta dhe për të çdo ndeshje është finale dhe duhet menduar vetëm për të.

“Apoloninë e shohim si çdo sfidë të radhës, pasi në këto tre javë të parë është konfirmuar se nuk ka ndeshje të lehta. Ekipet janë aty-aty me paraqitjet e tyre dhe mendojmë se Apolonia ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen. Ata janë të motivuar në çdo ndeshje dhe në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi edhe ne, sepse në fund të fundit çdo ndeshje është e barabartë me tre pikë”, tha fillimisht Daja.

Ai më pas foli edhe për ecurinë e skuadrës së tij: “Jam i kënaqur me përmirësimin e skuadrës nga ndeshja në ndeshje. Këtë e treguam edhe kundër Laçit, që ishte një ndeshje e vështirë. Manovra po konsolidohet dhe gjërat po shkojnë pozitivisht. Ajo që na ngelet është vazhdimësia”. Partizani edhe nesër nuk do të jetë i plotë, por Daja thekson se nuk duhet të ankohen.

“Nuk duhet të fokusohemi te mungesat, pasi me këtë kampionat të ngjeshur do e kemi këtë problematikë gjatë gjithë kohës, jo vetëm ne, por edhe rivalët. Ne nuk jemi të plotë, por ata që janë në dispozicion besoj se bëjnë maksimumin për të minimizuar mungesat që kemi. Broja deri në seancën e djeshme është stërvitur i diferencuar. Nëse nuk do jetë as sot, nuk do ta sakrifikojmë për nesër. Më mirë të mungojë nesër se në vazhdimësi”.

Po kundërshtarin si e ka parë Daja? “E kam ndjekur Apoloninë, ndryshon shpesh në vendosje. Luajnë në fushën e tyre dhe do të jenë më agresivë, në kuptimin për të marrë një rezultat pozitiv. Presim një Apoloni tjetër”, shtoi tekniku i t kuqve, ndërkohë që flet edhe për problemin e finalizimit. “Kemi pak kohë në dispozicion për të përgatitur, dje bëmë një seancë 90 minuta dhe punuam para porte. Mendoj se duhet të dalim sa më shumë para porte, pasi nëse ke shumë raste mund të shkosh te goli”.

Dajën e kënaq rritja e skuadrës në këto javë: “Paraqitjet kanë ardhur në rritje. Kemi konsolidim të manovrës në sulm e në mbrojtje. Vazhdimësia ka qenë e mirë. Duhet që ato gjëra që i kemi bërë mirë t’i shtrijmë në një minutazh sa më të madh. Luhatjet janë normale, por kjo është ajo që duhet të përmirësojmë në vazhdim. Me jep besim fakti që djemtë kanë qenë të motivuar maksimalisht dhe kanë bërë paraqitje të mira nga ndeshja në ndeshje”.

Rivali më i fortë dhe derbi? “Ne kemi rival vetëm Apoloninë, fokusohemi vetëm te ndeshja e nesërme. Më pas do shohim kush janë rivalë më të fortë, apo jo të fortë. E thashë që në këtë fillim të kampionatit nuk është se ndonjë diferencë të madhe. Derbi? Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, masje as për Skënderbeun që luajmë të dielën ne mendojmë. Duam të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës”.

Pres motivim të skuadrës në vazhdim dhe konsolidim më të mirë në drejtim të finalizimit. Me rastet e krijuara duhet të shkojmë te goli, që të jep qetësi psikologjike. Dihet që kush shënon i pari ka më shumë shanse të fitojë”, ka përfunduar Daja deklaratën e tij për mediat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!