Partizani po kalon një moment shumë të mirë. “Demat” fituan sot 4-0 përballë Skënderbeut dhe janë ngjitur në vend të parë me 10 pikë pas javës së pestë, po aq sa numëron edhe Vllaznia. Ilir Daja ndihet i kënaqur, analizon triumfin e sotëm dhe vlerëson ekipin në deklaratën e dhënë për Supersport.
“Bëmë një pjesë të parë nga më të mirat. Kam parë ekipin të vepronte goxha mirë në të dy fazat e lojës. Do doja të vazhdonim të automatizonim veprimet edhe në pjesën e dytë, por rezultati ndikoi që lojtarët të mos kishin më motivim maksimal.
Kemi një anë psikologjike dhe gëzojmë një kondicion të mirë. Kemi disa ndeshje që nuk pësojmë, sot shkuan te goli të katër sulmuesit tonë, kjo është pozitive. Shyqyr që nuk kemi dëmtime. Kemi lojtarë që është e vështirë të përballohen kur japin maksimumin. Shkojmë me psikologji të mirë në derbi, por ajo ndeshje ka specifika të tjera.
Skënderbeu? Do të jetë një periudhë kalimtare. Dua të fitoj maksimalisht me ekipin që drejtoj, ky është profesioni. Besoj se Skënderbeu do e kapërcejë këtë moment, pasi edhe ata duan kohën e vet që të kenë një manovër sa më të mirë. Nuk besoj se do jenë në këtë pozicion, ka brenda grupit lojtarë që mund të bëjnë mirë, ka edhe një staf që punon mirë.
Derbi? Kemi edhe 4-5 ditë për të përgatitur këtë ndeshje. Nuk mund ta them se çfarë do të bëj të premten, nuk do doja të ekspozoja formacionin, por do të zgjedhim formacionin më të mirë.
Mund të bënim ndryshime, por akoma kemi nevojë të konsolidohemi në manovër me formacionin e parë. Në pushim i kërkova lojtarëve që duhet të automatizojmë veprimet, gjë që nuk ndodhi në pjesën e dytë. Manovrën tonë duhet ta konsolidojmë gjatë ndeshjeve. Më pas vepruam dhe kryem zëvendësime, ky është shkaku pse ndryshuam vonë.
Është shpejt të flasim për fundin e kampionatit. Kemi pasur oshilacione gjatë ndeshjeve. Kemi mundësi të shkojmë larg. Elementi kryesor i këtij grupi dhe ajo që më gëzon, është shpirti i skuadrës. Lojtarët e kanë krijuar vetë këtë atmosferë pozitive, shpresoj të zgjasë sa më shumë.
Në karrierë kam 4 derbi, nuk e kam fituar si trajner i Tiranës, por kam humbur vetëm një. Shpresoj që ta arrij fitoren me Partizanin. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë ta fitojmë. Edhe kur skuadrat kanë diferencë, derbi asnjëherë nuk është i parashikueshëm. Gabimi më i madh nëse mendojmë se jemi favoritë, duhet të kontrollojmë edhe presionin e tepërt, që është prezent në derbi“, përfundon Daja. /abcnews.al