Daja: Derbi la për të dëshiruar, nuk u krijuan raste për gol. Dy ekipet çaluan

schedule20:32 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 20:32 - 4 Dhjetor, 2020

Partizani vijon me rezultatet pozitive dhe ruan kreun e klasifikimit. Trajneri Ilir Daja, pas ndeshjes me Tiranën foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

Në momentet që mbaron ndeshja, ke pakënaqësi, por kur ulet doza emocionale logjika del në plan të parë. Mendoj se në kompleks, te të dyja ekipet u pa që çalonte ndërtimi i lojës, freskia ra në pjesën e dytë dhe gabimet ishin prezente në të dy krahët.

Nuk është e mirë të futem në detaje taktike. Jemi mirë në fazën e mbrojtjes, por dua që të mbajmë topin dhe ta kontrollojmë lojën. Derbi la shumë për të dëshiruar në aspektin tekniko-taktik. Aty ku ne e nisim manovrën, hasëm vështirësi të fusnim topin në kontroll, prandaj luajtëm me topa të gjatë.

Nuk ishim përgatitur për një manovër të tillë, por kushtëzimi me terrenin të detyron të ndryshosh manovër ndonjëherë, pasi një gabim në mbrojtje do të na kushtonte shumë, edhe pse nuk është në filozofinë tonë të qëndrojmë në mbrojtje.

Të punosh në mbrojtje mirë, ke bërë gjysmën e punës. Nuk do ia delegoja lojtarëve të veçantë, as Malës as Bardhit, edhe pse nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Nuk dua t’i delegoj lojtarëve përgjegjësinë.

Kishte shumë pak raste të pastra nga dy ekipet, në përgjithësi topi qarkullonte në 1/3 e mesit të fushës, në zona të parrezikshme. Edhe Bardhi dhe Mala, janë lojtarë që dinë të veprojnë në zonë të ngushta, por kur shpenzohen topat në ndërtimin e aksioneve, edhe këta lojtarë e kanë të vështirë të ruajnë ritmin që kanë pasur në ndeshjet e kaluara.

Dy rastet për penallti për Tiranën? Kam kërkuar gjithmonë tek arbitrat ose më shumë minutazh loje, pra më pak ndërprerje loje, ose në rastet kur duhen ndëshkuar ndërhyrjet që rrezikojnë dëmtimin e lojtarëve. Këto gjëra nuk u panë sot, lojtarët u sollën si profesionistë. Sigurisht që peshorja nuk anon nga ana jonë në rastin e gjykimeve deri tani.

Nuk jam specialist moviole, nuk kam kërkuar asnjëherë edhe në favorin tonë, më mirë ja lëmë specialistëve të deklarojnë se ishte apo nuk ishte penallti. Gjithmonë do të jem i paragjykuar nëse flas, më mirë t’ia lëmë specialistëve komentin e rasteve të dyshimta.

Nuk më keni parë të kërkoj ndonjëherë që të kërkoj interpretimin e episodeve të tilla, kështu që po ndjek të njëjtën linjë. Gjëja më e mirë e derbit të sotëm ishte ‘fair-play’. Ta mbyllim me këtë gjë, pasi pak kishte për të folur për aspektin e lojës.

Ashtu si edhe Deden, edhe ty të kam pasur lojtar (i drejtohet Pinarit), kështu që përgjigjen jepe vetë. Ke shkaktuar penallti në momente delikate kur luaje si qendërmbrojtës“, përfundon Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!