Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç në një prononcim për televizionin shtetëror “RTS” tha se Serbia pranon që në Kosovë të jenë prezente vetëm forcat e KFOR-it dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 8 tetor në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg do të bisedojë për problemet rreth themelimit të ushtrisë së Kosovës, që sipas tij është në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ai nënvizon se ekziston “konfuzion i vogël” i perëndimoreve rreth qëndrimit të tyre për ushtrinë e Kosovës.
“Për ne asgjë më nuk mund të jetë befasi kur bëhet fjalë për qëndrimet e disa shteteve perëndimore. Por, e vërteta është një, se me asnjë dokument nuk parashihet krijimi i forcave të armatosura të Kosovës dhe se është në kundërshtim me Rezolutën 1244, andaj të vetmet forca të armatosura atje duhet të jenë ato të KFOR-it”.
Ai po ashtu shpjegoi se pozicioni i Serbisë në dialog me Prishtinën është “dukshëm më i mirë dhe më ndryshe për dallim nga pesë – gjashtë vite më parë”.
Daçiç nënvizoi se tashmë nuk vendos dikush tjetër për Serbinë pa vetëdijen dhe dëhirën e Beogradit.
“Serbia është partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm, andaj sigurisht që jemi konstruktiv, por kjo nuk është dobësia jonë, por forcë për të kërkuar kompromis”, shpjegoi ai. Ndër të tjera akuzoi Prishtinën duke thënë se nuk kërkon kompromis.