Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Beogradit që të ndalojë fushatën për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Serbia prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, të anulojnë vendimin për njohjen e pavarësisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, përsëriti se një nga objektivat e tij është që numrin e njohjeve ta cojë nga 116 që është aktualisht, nën 96.
Ndërkohë Daçiç në një intervistë të fundit për një televizion serb u ankua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar që të ndalojë këtë fushatë. Kjo me arsyetimin se pala serbe po punon kundër dialogut me Kosovën.
Sipas ministrit të Jashtëm serb kjo kërkesë atij i është bërë gjatë vizitës në Nju Jork ku ndodhej me kryeministren e vendit Ana Brnabiç./abcnews.al