Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh Ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë projektet e përbashkëta me Kinën, si dhe bashkëpunimin në luftim të krimit transnacional.
Duke folur në një Forum Global për Bashkëpunim në fushën e sigurisë publike, të mbajtur në Lianjungang, Daçiç ka thënë se Serbia është duke punuar për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për krijim të një ambienti të sigurt për qytetarët dhe çështjet ekonomike.
“Serbia dhe Kina janë të lidhura nga besimi i ndërsjellë në çështjet me interes të lartë strategjik për të dyja vendet”, ka thënë Daçiç.
Qeveria e Serbisë ka cituar Daçiçin të ketë thënë se konferenca në Kinë është sinjal se Kina është e gatshme të marrë përsipër rolin e njërës prej lidereve botërore në fushën e sigurisë.
“Ne jemi të vendosur për të kontribuuar plotësisht në stabilitetin e rajonit dhe në botë. Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes dhe të marrim pjesë në solidaritet”.