“Shqiptarët nuk e kuptojnë se situata dhe bota kanë ndryshuar”. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, gjatë vizitës së tij në Soçi të Rusisë duke vlerësuar kërkesat e autoriteteve të Prishtinës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një konferencë shtypi pas takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, ai tha se kërkesat e shqiptarëve janë dëshmi se ata nuk janë gati për asnjë kompromis. “Të gjithë duan projektin e Shqipërisë së Madhe dhe për ata e gjithë kjo është pak, duan të vijnë në Nish. Ata do të merrnin gjysmën e Malit të Zi, gjysmën e Maqedonisë dhe territor në veri të Greqisë”, shtoi më tej Daçiç. Sipas tij, kremtimi i datëlindjes së ish-presidentit amerikan Bill Clinton ditë më parë në Prishtinë, “është i vetmi vend në botë ku festohet, përveç në shtëpinë e tij.” Kjo është, sipas tij, dëshmi se shqiptarët “kanë mbetur prapa në kohë”.
Ndër të tjera, ministri i Jashtëm Daçiç tha se pa mbështetjen e Rusisë, Serbia nuk do të ishte në gjendje të mbronte interesat e saj kombëtare dhe integritetin territorial, duke shtuar se mbështetja e Moskës është e nevojshme edhe nëse arrihet një zgjidhje në dialog me Prishtinën. Në fund ai falënderoi edhe Presidentin Vladimir Putin dhe Rusinë për mbështetjen e pakursyer kur është fjala për interesat e Serbisë. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, nënvizoi shkurtimisht miqësinë mes dy vendeve, ndërsa më pas vijoi me adresimin e çështjeve globale./abcnews.al