Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç është takuar sot me homologun e tij nga Izraeli, Eli Cohen, duke thënë se vendimi i Izraelit për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës ka dëmtuar raportet në mes të Serbisë dhe Izraelit.
Ai tutje ka thënë se pret që marrëdhëniet me Izraelin të rivendosen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe të ruhet miqësia me popullin hebre, shkruan RTS.
“Ne vlerësojmë negativisht dhe mendojmë se vendimi i qeverisë izraelite për njohjen e Kosovës i ka dëmtuar marrëdhëniet tona, duke pasur parasysh se për ne çështja e Kosovës është e një rëndësie të jashtëzakonshme historike dhe jo vetëm për shkak të së kaluarës sonë, por edhe për shkak të identitetin kombëtar të serbëve.Në këtë aspekt vazhdimisht e krahasonim qëndrimin tuaj ndaj Jeruzalemit me qëndrimin tonë ndaj çështjes së Kosovës”, tha Daçiq.
Eli Cohen theksoi se Izraeli dhe Serbia janë vende kreative me gatishmëri për të vënë inovacionin në qendër të ekonomisë së tyre.
“Ne ramë dakord të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona dhe të përmirësojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjisë, inovacionit, sigurisë kibernetike. Ne duam të përmirësojmë bashkëpunimin edhe në fushën e turizmit”, tha Cohen./abcnews.al